Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive – Artan Grubi ka uruar qytetarët me rastin e “8 Shtatorit” – Ditës së pavarësisë së Maqedonisë së Veriut, ndërsa nga partitë politike dhe deputetët ka kërkuar mbështetje për votimin e ndryshimeve kushtetuese, si pengesa e vetme në rrugën drejt Bashkimit Evropian (BE).
“Më lejoni t’ju uroj të gjithë qytetarëve tanë ditën e pavarësisë dhe të uroj që vendi ynë të bëhet sa më shpejt Maqedonia evropiane. Në këto 32 vite pavarësi vendi ynë ka kaluar nëpër shumë turbulenca, që nga shpallja e pavarësisë deri te konfliktin i vitit 2001, pastaj sfidat me Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë… Asgjë nuk ishte e lehtë! Gjithçka ishte e vështirë për ne, por edhe ndërtimi i një shteti nuk është proces dhe punë e lehtë. Marrja e aktit për atë shtet kërkon punë dhe sakrificë, prandaj shpresoj se të gjithë qytetarët do ta përkrahin hapin e fundit, që janë ndryshimet kushtetuese për të përmbyllur tërë procesin e marrjes së aktit të shtetësisë”, deklaroi zëvendëskryeministër i parë Grubi.
Ai shpreson se të gjithë të kyçurit në këtë proces do ta kapërcejnë veten dhe agjendat e tyre për politika ditore, dhe siç thekson, veçanërisht deputetët në Parlament dhe do ta mbështesin procesin e Maqedonisë europiane.
“Vetëm kjo është e vetmja rrugë për zhvillimin ekonomik dhe afrimin e standardeve tona me standardet evropiane. Posaçërisht u bëj thirrje të gjithë deputetëve dhe gjitha partive politike parlamentare që sa më parë të ofrojnë mbështetje për një Maqedoni europiane”, nënvizoi Grubi.