Futbollistët e Struga Trim Lum prej sot edhe zyrtarisht janë në pushim te merituar. SKuadra jonë është skuadra e vetme nga Liga e Parë që ka më shumë ndeshje në këmbë, teksa vetëm një javë më parë mbyllëm aventurën në Ligën e Konferencës, aty ku shkruajtëm historinë, duke prekur fazën e ndeshjeve ‘play-off’.
Sezonin e ri në Ligën e Parë e nisëm me fitore, duke mundur Gostivarin, ndërsa për shkak të paraqitjeve në garat europiane, kemi mbetur 3 ndeshje mbrapa.
Gjithësesi pauza e kampionatit për shkak të ndeshjeve të përfaqësueses së Maqedonisë, të vlefshme për Euro 2024 na shkon për “shtati”.
Shpëtim Duro duke pasur disa ditë më shumë në dispozicion ka vendosur t’u japë lojtarëve 5 ditë pushimi, një mënyrë kjo që lojtarët tanë të rifitojnë energjitë e humbura dhe të rindezin “motorët” për ndeshjet që i presin në kampionat.
Gjithashtu pauza e kombëtares vjen në një moment të duhur për ekipin tonë, i cili në stërvitje do të rikthehet ditën e hënë për të nisur përgatitjet për duelin me Bregallnicën, ndeshje kjo e vlefshme për javën e 7-të në LPFMV.
Kjo përballje do të luhet në stadiumin e qytetit në Shtip me datë 17 shtator.