NJË ANTIHUMANIZËM QË TMERRON!

NJË ANTIHUMANIZËM QË TMERRON!
Njeriu ka vetëm një dëshirë konstante-të jetë i shëndetshëm! Në trupin e shëndetshëm ndërtohet jeta emocionale e shëndetshme ! Jeta është realitet, shëndeti është ideal . Nga uniteti midis tyre vjen lumturia! Me shpresa për jetën e lumtur,rritet lumturia! Jetën e mban shpresa! Shpresa është më e fuqishme se njëmijë ëndrra! Rasti i keqpërdorimeve në Klinikën Universitare të Onkologjisë dhe Radioterapisë i shkatërroj shpresat e shërimit të atyre që e prisnin ndihmën e këtij institucioni! Ky skandal jo vetëm që i tmerroj qytetarët, por e stigmatizoj krejt sistemin shëndetsor dhe shtetin me vulën e turpit! Kemi një rast pa presedan në botën e civilizuar që e rrënoj rrjedhën e jetës normale të shumë pacientëve dhe të shumë familjeve. Ngjyra e bardhë simboli i pastërtisë,i mirësisë dhe sigurisë në klinikën e larpërmendur u bë ngjyrë e tmerrit! U bë simbol i dreqit. Çdo njeri që e ka veshur mantilin e bardhë duhet të jenë mbrojtës i nderit të tij, kujdestar i zellshëm për pacientët e tij dhe jo plaçkitës! Nga zemrat e punëtorve të shëndetsisë duhet të dalë dashuria dhe jo shigjatat “vrasëse”! A ka mizori më të madhe kur dikush me vetëdije e dërgon në vdekje njeriun të cilin duhet ta shpëtoj nga vdekja. Jastëku më i butë është për ato që e kanë ndërgjegjen të pastër, por në çfarë jastëku e vejnë kokën njerëzit me ndërgjegjen e fëlliqur? Abuzimi me citostatikët për profitime personale në dëm të jetës së pacientëve është një akt monstruoz që mund të haset vetëm te filmat horor!
Momentet më të mira në jetë janë kur të tjerët i bëjmë të lumtur. Por sa të lumtur ndihen mantilat e bardhë që kanë profituar duke vjedhur nga jeta e atyre që e kanë kërkuar ndihmën e tyre! Pas këtij skandali pacientët luhaten midis shpresës dhe dyshimit, midis besimit dhe frikës . A duhet qingji ti besoj kasapit që e mban thikën në dorë? Aktorët e këtij skandali që shkaktuan shumë dhimbje dhe vuajtje shpirtërore duhet të përgjigjen edhe para qytetarëve edhe para Zotit! Me humbjen e besimit te mantilat e bardhë humb optimizmi për jetën! Të paturpshmit duhet të dënohen.

-prof.Muhamet Borova