Shkollat fillore në fshatrat Pohum dhe Zhepin të Strugës e filluan vitin e ri shkollor pa asnjë nxënës në klasë të parë, shkruan Alsat.
Numri i nxënësve në rajonin e Strugës është më i ulët për 77 krahasuar me vitin e kaluar. Drejtori i shkollës në fshatin Koroshishtë, Zini Jusufi, thotë se situata është alarmante dhe pret që të jetë edhe më keq vitet e ardhshme.
“Ky trend do të vazhdojë. Vitin e ardhshëm do të jetë edhe më keq, situata do të jetë edhe më drastike, pra numri i studentëve do të jetë gjithnjë e më i vogël. Kjo do të thotë që një numër i madh mësuesish do të mbeten në rrugë. Kur nuk ka nxënës, mësimdhënësit nuk do të kenë kujt t’i japin mësim”, ka thënë mësuesi Zini Jusufi.
Në shkollën e fshatit Koroshishtë, numri i nxënësve të klasës së parë ishte shtatë, kurse vitin e kaluar ishte 12. Në shkollën qendrore në Dollogozhdë janë vetëm 8 nxënës të klasës së parë, kurse vitin e kaluar numri i tyre ishte 19, ndërsa në fshatin Livadhi nga 18 vitin e kaluar, këtë vit janë vetëm dy nxënës të klasës së parë.
Aleanca për Shqiptarët në Strugë akuzoi se arsimi, si dhe shumë gjëra të tjera, janë peng i veprimeve të padrejta dhe të paligjshme të kryetarit të komunës Ramiz Merko. Vitet e fundit, ai ka emëruar dhe shkarkuar në mënyrë të paligjshme drejtorë në shumë shkolla. Kjo u konfirmua nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe Komisioni Antikorrupsion. Por deri më tani, asnjë institucion nuk ka ndërmarrë veprime ndaj tij.
“Keqbërja nuk përfundon këtu, vetëm në emërimin dhe shkarkimin e drejtorëve përmes rrjeteve sociale. Fatkeqësisht, arsimi në Strugë është shndërruar në zyrë për punësim dhe trajtim të komplekseve të “Trekëndëshit të Bermudës” – Komuna – Universitet – Ministër. Pa respektuar asnjë kriter profesional apo ligjor, ata punësojnë në shkollat e Strugës maturantët e Universitetit të tyre të famshëm, i cili tashmë njihet për nxjerrjen e diplomave pa njohuri”, theksoi Lulzim Nasufi, kryetar i ASH-së në Strugë.
Aleanca kërkon ndalimin e menjëhershëm të procesit të politizimit të shkollave që tashmë përballen me shumë probleme siç është numri gjithnjë e më i vogël i nxënësve. Ata kërkojnë që Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, t’ia marrë kompetencat Komunës së Strugës në fushën e arsimit fillor. Alsat kërkoi nga pushteti vendor qëndrim për të pyetur për situatën në arsim, por nuk morëm përgjigje./ Alsat.mk