Bunjamin Shabani: Në Islandë për të përmbysur rezultatin dhe të marrim kualifikimin në grupe

Struga Trim Lum këtë të enjte do të luaj ndeshjen e kthimit të fazës play off në Ligën e Konferencës kundër Breidablik të Islandës.

Ekipi trajnerit Shpëtim Duro udhëton drejt tokës islandeze me negativë prej 1:0 nga ndeshja e parë të luajtur javën e kaluar në Ohër.

Para kësaj sfide historike, për portalin “Telegrafi” ekskluzivisht në një intervistë ka folur kapiteni i Struga Trim Lum, Bunjamin Shabani, i cili thotë se objektivi ekipit është përmbysja e rezultati dhe sigurimi i grupeve.

“Normalisht edhe në ndeshjen e parë kishin rastet dhe lojën tonë të mirë, por nuk arritëm ti shfrytëzojmë rastet për të realizuar. Shpresojmë se në Island të bëjmë paraqitje të mirë dhe të përmbysim rezultatin për kualifikim në grupe”, tha fillimisht Shabani.

Kumanovari e bën një analizë nga ndeshja e parë dhe tregon se çka do të ndryshojnë për sfidën e kthimit.

“Nga ndeshja e parë e vetmja gjë negative ishte rezultati ku kundërshtari me shumë pak raste na ndëshkoi si dhe mos shfrytëzimi i rasteve nga ana jonë. Në ndeshjen e së enjtes, do të mundohemi ti shfrytëzojmë maksimalisht rastet tona për të marrë atë që dëshirojmë”, shprehet kapiteni i struganëve, i cili flet edhe për atmosferën brenda grupit.

“Atmosfera në ekip është pozitive, të gjithë jemi të vetëdijshëm se çfarë rëndësie ka kjo ndeshje në Islandë dhe të gjithë jemi të motivuar për dhënë maksimumin”, theksoi Shabani

I pyetur nga “Telegrafi” se cili do të ishte fjalimi motivues i tij si kapiten për bashkëlojtarët para kësaj ndeshje historike, ai u përgjigjë:

“Në këtë fazë të play off-it, vetë rëndësia e ndeshjes është motivim për të gjithë sepse nuk vijnë kësi lloj takime shpesh. Qëllimi është i madh dhe gjithashtu motivimi nuk mungon te secili prej nesh”, përfundoi Shabani.

Ndeshja ndërmjet Breidablik dhe Struga Trim Lum do të luhet të enjten, duke nisur nga ora 18:45.