Grubi me ofertë për VMRO-DPMNE-në / “Heqim dorë nga kryeministri shqiptar, votoni për ndryshimet kushtetuese”

Dorëzuam dorëheqje, jemi të gatshëm që të heqim dorë edhe nga kryeministri i parë shqiptar me qëllim që të votohen ndryshimet kushtetuese dhe ta shohim shtetin tonë si anëtar i BE-së. Këtë mesazh ia dërgoi Artan Grubi VMRO-DPMNE-së. Tha se pas takimit me Eskobarin kanë biseduar për votim konsensual të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend. Shtoi se kanë pasur kontakte me VMRO-DPMNE-në duke u përpjekur që t’i bindin për ta ndryshuar mendimin e tyre.

“Nëse duan, që të njëjtën ditë mund të votojmë edhe shpërbërje të Kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, të njëjtën ditë kur t”i votojmë ndryshimet kushtetuese. Po ashtu jemi të gatshëm që të gjithë ne të japim dorëheqje dhe e bëmë këtë, ia dorëzuam kryeministrit, po ashtu të heqim dorë nga kryeministri i parë shqiptar në qeverinë e RMV-së me qëllim të vetëm që ta shohim shtetin tonë në BE”, u shpreh Artan Grubi, zv/kryeministri I parë.

Megjithatë lideri i VMRO-DPMNE-së edhe një herë përsëriti se nuk do të votojnë për ndryshime kushtetuese në kushte të këtilla duke shtuar se nëse jo në në zgjedhje të parakohshme, atëherë në zgjedhjet e rregullta do ta rrëzojnë këtë qeveri.

“Nuk ka asnjë pikë lidhëse që mund të jetë arsyetmi i tyre që të jenë edhe një ditë më shumë atje ku janë. Patjetër këtë pranverë do të kemi zgjedhje të rregullta, qëllimi ynë është që të kemi sa më shpejtë që është e mundur zgjedhje, përkatësisht disa muaj më parë për të ardhur qeveri me legjitimitet nga populli dhe kjo qeveri pa legjitimitet të popullit dhe pa kredibilitet politik, i barabartë me zero, nuk mund të realizojë reforma, nuk mund ta përafrojë Maqedoninë në rrugën drejt BE-së”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Por Grubi tha se i vetmi debat që po udhëhiqet për dorëzimin e amendameteve për ndryshimet kushtetuese, është për zgjedhje të parakohshme e për përmbajtjen e amendamenteve.

“Po shohim se pas miratimit të amendameteve teknike të Kushtetutës nga qeveria dhe pas dorëzimit të tyre në Kuvend aspak nuk ka debat për përmbajtjen e këtyre amendamenteve. As në bashkësinë akademike as në OJQ as në mediat as në partitë politike. Debati është vetëm për çështje politike, nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, dhe çfarë qeveri të ketë”, shtoi Grubi.

Grubi beson se VMRO-DPMNE do të inkurajohet, se ka kapacitet demokratik duke pasur parasysh se është partia pro europiane dhe se do të spostohet së bashku me Uashington dhe Bruksel dhe do të votojë për ndryshimet kushtetuese.