Agjentë të policisë dhe doganave spanjolle njoftuan të premten sekuestrimin e 9.5 tonelatave kokainë që vinte nga Ekuadori e që konsiderohet më e madhja në historinë e vendit.
Sekuestrimi u bë ditën e mërkurë në portin Algesiras, në jug të Spanjës, me ngarkesën që ishte fshehur në kuti bananesh në kontejnerë të pajisur me frigoriferë.
Sipas autoriteteve, organizata përgjegjëse për ngarkesën ishte në gjendje të dërgonte 40 kontejnerë në muaj në Evropë dhe kishte një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, që vepronin edhe në portin e Vigos, në veri-perëndim të Spanjës.
“Ky operacion përbën një goditje të paprecedent ndaj një prej organizatave kriminale më të rëndësishme në botë, e përfshirë në shpërndarjen e kokainës, që bëhej përmes rrjeteve të ndryshme kriminale në Evropë”, thuhet në një komunikatë të qeverisë iberike.
Në dokument nuk bëhet identifikimi i organizatës dhe nuk raportohet as për persona të arrestuar.
Në pakot e ngarkesës masive ishin stemat e më shumë se 30 grupeve kriminale evropiane. Shumë prej tyre mbanin kryqin nazist dhe fjalën “Hitler”, njësoj si një sasi e konsiderueshme kokaine që u kap në Peru me destinacion Belgjikën në maj të këtij viti.
Asokohe, autoritetet deklaruan se po hetonin nëse ngarkesa kishte lidhje me grupet neo-naziste evropiane, por ka mundësi që simbolet të përdoreshin thjesht si një kod për porositësit e lëndës narkotike.