Departamenti i Drejtësisë tha të mërkurën se ka sekuestruar mbi 1.4 miliardë dollarë të vjedhura nga fondet e ndihmës për të përballuar pasojat e pandemisë. Në të gjithë vendin po hetohen mbi 3 mijë të akuzuar për vjedhjet.
Drejtësia amerikane bëri të ditura rezultatet e hetimeve në mbarë vendin për të luftuar mashtrimet me ndihmat gjatë periudhës së pandemisë. Akuza federale janë ngritur kundër 371 të dyshuarve për vepra që lidhen me mashtrime që kapin vlerën mbi 836 milionë dollarë.
“Kjo çështje, që përfshin mbi 300 të pandehur dhe mbi 830 milionë dollarë në mashtrime, duhet të dërgojë një mesazh të qartë: situata emergjente e krijuar nga pandemia mund të ketë përfunduar, por puna e Departamentit të Drejtësisë për të identifikuar dhe ndjekur penalisht ata që vodhën fondet e pandemisë nuk ka përfunduar”, tha në një deklaratë Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.
Sipas Departamentit të Drejtësisë, gjithsej 119 të pandehur u deklaruan fajtorë ose u dënuan.
Shtetet e Bashkuara po hetojnë shumë raste mashtrimi të lidhura me programet e ndihmës së qeverisë. Në maj të vitit 2021, zoti Garland formoi një grup pune për të hetuar mashtrimet me ndihmat kundër pandemisë.
Ka të ngjarë që të jenë vjedhur mbi 200 miliardë dollarë nga programet e ndihmës kundër COVID-19 të qeverisë amerikane, sipas një agjencie federale. Në përpjekje për të përshpejtuar ndarjen e fondeve për pandeminë, Administrata e Biznesit të Vogël kishte ulur masën e kontrollit.
Në shtator të vitit 2022, inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Punës tha se mashtruesit ka të ngjarë të kenë vjedhur 45.6 miliardë dollarë nga programi i ndihmave për të papunët gjatë shpërthimit të koronavirusit duke përdorur taktika të tilla si aplikimi në emër të individëve të vdekur.