RRITJA E PENSIONEVE E PASHMANGSHME !
Çdo rrugë, e gjatë apo e shkurtër, ka një fillim dhe një fund! Jeta fillon me lindjen dhe zgjat deri në moshën e tretë – pleqërinë! Në jetë ka disa ngjarje individuale që njeriun e bëjnë të lumtur, si diplomimi, punësimi, martesa dhe pensionimi! Dikush pensionimin e sheh si një fillim të ri, dikush si fundin e jetës! Pleqëria fillon me pensionimin, një periudhë e pashmangshme që vjen pa e pyetur njeriun! Kur vjen pleqëria, vijnë edhe disa probleme si: vetmia, skleroza, depresioni, problemet shëndetësore, impotenca, problemet financiare dhe ndjenjat fataliste! Pleqëria zbukurohet me pensionimin! Dalja në pension duhet të shihet si një ngjarje e rëndësishme e jetës, jo si problem. Problemi është në margjinalizimin e pensionistëve për shkak të moshës dhe zvoglimit të aftësive! Krijohet imazhi i shtrembëruar se ata janë të lodhur dhe nuk kanë potencial për të punuar dhe kontribuar.
Pozita e pensionistëve duhet të vlerësohet objektivisht, të trajtohen me respekt dhe adhurim! Jeta në shoqëri funksionon më mirë nëse ka harmoni midis drejtësisë dhe humanizmit! Humanizmi e obligon qeverinë që në mënyrë më sublime të kujdeset për cilësinë e jetës së qytetarëve që janë në prag të varfërisë! Rritja reale e pensioneve do ta sjellë lumturinë ideale! Një denar më shumë, sjell një “oqean” gëzimi! Rritja e pensioneve shkatëron frikën nga jeta e “mjeruar”, njerëzit jetojnë me moton: nëse ke para -do të kesh edhe më shumë para. Më shumë para, më pak stres! Me pensionet e mira, çdo pensionist do të ndihet më entuziast dhe më i respektuar, më i qetë dhe më krenar! Jeta dinjitoze nuk lejon që zemra e të moshuarit të ketë më shumë rrudha se fytyra e tij! Në pleqëri njerëzit duhet të trajtohen si bimë të rralla, jo si barishte të egra! Kur trajtohen në këtë mënyrë, gëzimi i jetës do të ndihet në çdo pjesë të qenies së tyre!