Socialdemokratët paralajmëruan se përmes bisedimeve do ta bindin opozitën maqedonase për ndryshimet kushtetuese. Për momentin nuk dihet nëse sërish do të ketë tentativë të re për një takim të liderëve. Nga LSDM-ja theksuan se në javët në vijim, siç shprehen ata, do të bëjnë gjithçka për të thyer bllokadën e VMRO-DPMNE-së. Sipas LSDM-së, opozita nuk ka asnjë kundërshtim thelbësor ndaj tekstit të ndryshimeve kushtetuese dhe veprimi i tyre ka për qëllim vetëm bllokimin e procesit. Nga partia në pushtet vlerësuan se Hristijan Mickoski e ka vazhduar politikën anti-BE dhe anti-NATO të Nikolla Gruevskit dhe u bënë thirrje deputetëve të VMRO-DPMNE-së.
“Të shohim shansin që është para nesh dhe të dinë se ky është shansi me të cilin shteti ynë, Maqedonia, do të vazhdojë negociatat me BE-në dhe me këtë do të arrijë edhe anëtarësimin në BE. Kur themi të gjitha nënkuptojmë të gjitha kushtet normale politike në një shoqëri demokratike. Të gjithë mekanizmat që nënkuptohen në demokraci – bisedime, negociata janë në dispozicion, sigurisht që në periudhën e ardhshme do t’i përdorim edhe ato”, tha Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.
Thuajse njëherësh me thirrjen e partisë në pushtet për bisedime, nga selia partiake e VMRO-DPMNE-së thanë se është e kotë të mbahen sërish takime për temën amendamentet kushtetuese.
“Nëse ata do të donin të arrihet zgjidhje, në fillim do ta thërrisnin VMRO-DPMNE-në së bashku në tavolinë për të vepruar së bashku dhe për të ruajtur vijat e kuqe maqedonase. Ajo që bëri LSDM-ja dhe BDI-ja është shkatërruese për popullin maqedonas dhe është e kotë të ulen më, meqë 80% e popullit nuk e pranojnë këtë zgjidhje. Prandaj duhet të shkojmë në zgjedhje”, deklaroi Vllado Misajllovski – nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Sipas VMRO-DPMNE-së, pushteti po përpiqet të blejë kohë dhe po e shtyn procesin duke theksuar nevojën për hapjen e Kushtetutës deri në ditën e fundit të mandatit. Nënkryetari i partisë, Vllado Misajllovski, tha se në ditën kur pika do të nxirret për votim, pushteti do të bjerë menjëherë dhe nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të shpallen zgjedhjet. Misajllovski thekson se VMRO-DPMNE në fushatën zgjedhore do të ofrojë, siç thotë ai, zgjidhje patriotike në raport me kontestin me Bullgarinë. /alsat.mk