Shifra rekorde të turizmit në Shqipëri

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ka bërë publike të dhënat e flukseve hyrëse turistike për periudhën janar-korrik 2023, që janë mbi 5,1 milionë vizitorë, duke tejkaluar me 31% më shumë ato të së njëjtës periudhë të vitit 2022, i cili njihet si viti më i mirë ndonjëherë në bilanc shifrash. “Vetëm për korrikun, 1.7 milionë vizitorë të huaj kanë zgjedhur të vizitojnë Shqipërinë, ose 26% më shumë krahasuar me një vit më parë”, shprehet ministrja Kumbaro në rrjetet sociale. Gjatë këtyre muajve tregje interesante paraqiten Spanja me më shumë se dyfishin e vizitorëve krahasuar me vitin që shkoi, Turqia me 142% më shumë, por vihet re edhe rritje e numrit të vizitorëve nga Mali i Zi me 62% më shumë, Franca me 58% më shumë e Italia me 53% më shumë krahasuar me vitin që shkoi. Raportohet rikuperim i vizitorëve nga Ukraina, duke shënuar 153% më shumë hyrje krahasuar me vitin 2022 dhe 152% më shumë vizitorë nga Kina, kjo thuhet se është arritur falë marrëveshjes së bashkëpunimit për heqjen e vizave midis dy vendeve dhe promovimin e ndërsjellë. /Alsat.mk