Futbollisti i talentuar strugan, Hadis Tairi, i cili këtë verë u bashkua me skuadrën tonë, së fundmi ka marrë ftesë nga ana e seleksionuesit të përfaqësueses U19 të Maqedonisë së Veriut, Toni Jakimovski.
Kështu Tairi mbeti në Shkup në të njëjtin hotel ku qëndroi gjatë këtyre dy ditëve me skuadrën e Struga Trim Lum në prag të ndeshjes së turit të tretë elimiantorë të Ligës së Konferencës, kundër Swift Hesperange, por tashmë duke vijuar qëndrimin me përfaqësuesen U19 të Maqedonisë.
Për Tairin është kjo hera e parë që do të veshë fanellën e 19-vjeçarëve, pasi deri më tani kishte qenë pjesë e ekipit U-18, ku edhe kishte mbajtur shiritin e kapitenit.
18-vjeçari Tairi në këtë mënyrë do të përfaqësojë edhe ekipin tonë në dy ndeshjet miqësore që 19-vjeçarët do ti zhvillojnë kundër bashkëmoshatarëve të tyre të Gjeorgjisë.
Ndeshjen e parë të besuarit e trajnerit Jakimovski do ta zhvillojnë me datë 12 gusht, ndërsa vetëm dy ditë më vonë në program do të jetë edhe ndeshja e dytë. Që të dyja këto përballje do të zhvillohen në Qendrën Sportive “Petar Milloshevski”, aty pranë FFM-së.