Pushteti vazhdon të kërkojë mbështetjen e opozitës maqedonase për ndryshimet kushtetuese. LSDM-ja i garanton VMRO-DPMNE-së se me dorëheqjet e ministrave të BDI-së, vendi i tyre në Qeveri e cila do t’i organizojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare është i sigurt. Si parakusht kërkon miratimin e ndryshimeve kushtetuese.
“Me dorëheqjet e ministrave të BDI-së të cilat do të hynë në fuqi menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, Mickoski dhe DPMNE-ja do të munden që menjëherë të bëhen pjesë e Qeverisë në të cilën nuk merr pjesë BDI dhe në këtë mënyrë të organizohen zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, thonë nga LSDM.
Nga VMRO-DPMNE-ja përsërisin qëndrimin se çështja e ndryshimeve kushtetuese është mbyllur dhe se dorëheqjet e ministrave të BDI-së janë tentativë për t’i mbuluar aferat korruptive brenda partisë së Ali Ahmetit.
“Dorëheqjet e tyre janë një trik për marketing personal. Dorëheqjet në BDI erdhën pikërisht në momentin kur i mbuluan retë e zeza të krimit dhe të cilat duhet t’i heton Prokuroria Publike. BDI po tenton që të marrë qoftë edhe një ditë më shumë pushtet për të vazhduar krimin dhe korrupsionin dhe ndërkohë po tenton të shpëton edhe LSDM-në nga lëkura”, deklaruan nga VMRO-DPMNE.
Ministri i Jashtëm në dorëheqje, Bujar Osmani përmes një video prononcimi shpjegoi përmbajtjen e dy pjesëve të Kornizës negociuese. Sipas tij, Marrëveshja me Bullgarinë nuk ndodhet në pjesën speciale të kornizës, por në pjesën e përgjithshme mbi të cilën vendet anëtare të BE-së nuk votojnë.
“Pyetja që parashtrohet është se ku ndodhet Marrëveshja me Bullgarinë dhe ecuria në bazë të nenit 12. Ato ndodhen në pjesë e përgjithshme. Pra në asnjërën nga këto udhërrëfyes, kriteret apo shkallët (kapitujt) nuk ka çështje nga Marrëveshja me Bullgarinë, Komisioni historik apo kontrolli i ecurisë në bazë të nenit 12”, u shpreh Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm në dorëheqje.
Pushteti ka në dispozicion më pakë se dy javë kur në seancë parlamentare do të dihet nëse i ka ose jo 80 numrat e nevojshëm për ndryshimet kushtetuese. Seanca është caktuar për 18 gusht. /Alsat.mk