Ministrat e BDI-së dorëzuan dorëheqjet e kushtëzuara

Ministrat e BDI-së dorëzuan dorëheqjet e kushtëzuara. Në arsyetimin e akteve të tyre theksohet se të njëjtat do të hyjnë në fuqi në momentin kur opozita do të votonte për ndryshimet kushtetuese.

Dorëheqjet e ministrave të BDI-së

“Ne ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japim dorëheqje nga postet që aktualisht jemi duke i ushtruar! Dorëheqjet, z. Kryeministër, efektuohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese”.

Megjithëse dispozitat ligjore janë të qarta, kryeministri nuk gëzon të drejtën e të mbajturit peng të dorëheqjeve. Akti i dorëheqjes së anëtarit të Qeverisë kërkon prononcimin e kryeministrit, nëse ky i fundit pranon ose refuzon të njëjtën. Pranimi i dorëheqjes nënkupton veprim të menjëhershëm të kryetarit të Qeverisë dhe dorëzimin e saj në Kuvend, ndërsa ligjvënësi duhet në seancën e parë të radhës të konstaton dorëheqjen pa diskutim.

Rregullorja e Kuvendit, Neni 220

“Kuvendi në seancën e parë të radhës, pa diskutim, konstaton që Kryetarit të Qeverisë, Qeverisë ose anëtarit të Qeverisë, u pushon mandati në ditën e mbajtjes së seancës”.

Përveç ministrave, për dorëheqjet e tyre kryeministrin Dimitar Kovaçevski e kanë njoftuar edhe zëvendësministrat nga radhët e BDI-së. Dorëheqjet e kabinetit qeveritar të BDI-së dhe funksionarëve të saj vijnë pas paralajmërimit që kreu i integristëve bëri ditë më parë, duke deklaruar se me kërkesë të opozitës, BDI-ja jep dorëheqje nga pozitat në Qeveri me qëllim që VMRO-DPMNE-ja të mbështesë ndryshimet kushtetuese. /Alsat.mk