Cilësia e dobët e grurit rrezikon shtrenjtimin e bukës

Të korrat e grurit përfunduan. Por, se sa bereqet nxorën bujqit shteti do ta dijë deri në fund të gushtit. Ata ankohen se në një hektar të mbjellë kanë marrë vetëm gjysmën e asaj sesa kanë pritur. Nëse në një vit të begatshëm për një hektar të korrur do të mblidheshin 5-7 mijë kilogram grurë, sivjet bujqit thonë se në rastin më të mirë kanë marrë 3,500 kilogram grurë në hektarë. Ministria e Bujqësisë thotë se kjo është si pasojë e ndryshimeve klimatike. Gjatë muajit qershor kur gruri duhet të mbush kokrrën, nuk ka pasur diell të mjaftueshëm dhe të reshurat e shtuara të shiut kanë shkaktuar plogështimin e grurit. Ministri Nikollovski, tha se sivjet është mbjell 8% më shumë sipërfaqe e arave, falë subvencioneve.

“Nga informacionet në terren tregojnë që cilësia e grurit nuk është në nivelin e kënaqshëm, as këtu e as në vendet fqinje si Serbia, Greqia, Bullgaria, as në shtetet tjera që kanë sipërfaqe të mëdha gruri e për vete nuk janë të varura nga importi. Por, në rastin tonë, Maqedonia e Veriut sikur çdo vit tjetër për këto kultura bujqësore është e varur nga tregu i jashtëm. Çdo vit na mungon gruri cilësor, e cila është e nevojshme për industrinë e miellit për konsum të brendshëm”, u shpreh Lupço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë.

Zyrtarisht, deri më 31 gusht ka afat që bujqit të deponojnë grurin nëpër pikat zyrtare të shitjes. Deri atëherë nga Ministria e Bujqësisë thonë se nuk mund të ketë të dhëna të sakta se sa tonelata grurë janë arkëtuar nga të mbjellat e fushave të vendit. Çmimi i blerjes me shumicë të grurit është 18 denarë për kilogram, vlerë e cila sipas autoriteteve është shumë e ulët krahas kostos së kultivimit të grurit.

“Të dhënat tregojnë që nëse vitin e kaluar kemi pasur prodhim prej 250 mijë ton grurë, këtë vit do të kemi sasi më të madhe, por duhet ta shohim edhe cilësinë e grurit sepse rënia e kualitetit për shkak të shumë ndryshimeve klimatike mund të rrisë nevojën e importit në mënyrë plotësuese, nga sasia prej 60-70 mijë ton grurë që përafërsisht çdo vit e importojmë, dhe sigurisht, edhe këtë vit do të jetë e patjetërsueshme të importohet”, tha Lupço Nikollovski, Ministër i Bujqësisë.

Sipas shoqatave agrare, vetëm 60% e tokës bujqësore kultivohet në vend, pjesa tjetër mbetet djerrë.

Ditëve të fundit u sanua edhe problemi i sistemit të vaditjes në sipërfaqen më produktive të vendit për këto kultura bujqësore, “Ovce Pole”. Megjithëse për një kohë të gjatë mungoi furnizimi me ujë në tokat e tyre, bujqit e zonës edhe protestuan duke shprehur revoltën kundër autoritetit të Ekonomizimit të ujërave. Shpërthimi i gypave dyshohet të jetë bërë nga sistemi i vjetërsuar dhe sanimi i tyre ka marr kohë pikërisht në periudhën kur të mbjellave iu është dashur të ujiten. Dyshohet edhe për kyçje ilegale në sistem dhe mungesa e ujit ka qenë një nga faktorët e rendimentit të ulët të këtyre kulturave bujqësore. /Alsat.mk