Sulmuesi i FC Struga Trim Lum, Marjan Radeski është optimist për rezultat pozitiv në ndeshjen e nesërme kundër Buduçnost Podgorica. Ndeshjen e kaluar kundër Zhalgiris, sipas tij, duhet ta marrim si shembull pozitiv, për të mos i përsëritur gabimet e vogla që i kushtoi me humbje ekipit.
“Mendoj se luajtëm dy ndeshje të shkëlqyeshme, por në fund, për fat të keq humbëm. Mendoj se përvoja e kundërshtarit ishte vendimtare. Duhet të marrim gjërat pozitive dhe të mësojmë nga gabmet. Mendoj se ishim ekipe të të njëjtit nivel dhe merituam të shkojmë tutje, por gabimet e vogla na kushtuan shumë. Megjithatë, duhet të ngrihemi në këmbë nga ajo humbje dhe të shohim përpara”, u shpreh Radeski.
Radeski kërkon përkushtim maksimal nga bashkëlojtarët, për të siguruar fitore në ndeshjen e nesërme.
“Tani jemi me ‘kokë të ftohtë’, kemi ushtruar mirë, e analizuam kundërshtarin. Duhet secili prej nesh, qoftë titullar, qoftë rezervë, të japim 200% nga vetja dhe të shkojmë tutje në raundin e tretë. Kemi short të shkëlqyeshëm dhe favorizues, që na jep shpresë edhe për ndeshjet e “play off” për fazën e grupeve”, tha Marjan Radeski.
Ekipi malazez, sipas Radeskit, duhet respektuar, por megjithatë ai beson se ekipi i FC Struga Trim Lum ka kapacitet dhe mundësi të shkëlqyera për ta kaluar këtë raund.
“Ata janë ekip i mirë, me traditë në vendin e tyre, ekip ballkanik. I kemi analizuar dhe mendoj se mbi të gjitha duhet ne të jemi në formë dhe të bëjmë detyrat tona siç duhet, nëse duam të kalojmë më tej. Ata kanë pasur probleme në klub sipas asaj që e ndjekim në media, por megjithatë këto ndeshje janë shumë të rëndëdsishme dhe me peshë dhe njejtë si ne edhe ata duan të kualifikohen. Mendoj se jemi gati dhe besoj se do të kalojmë në raundin tjetër”, shtoi Radeski.
Sulmuesi Radeski bëri thirrje për tifozët struganë dhe jo vetëm, që ta përkrahin edhe në këtë ndeshje, ashtu si në të kaluarën sepse përkrahja e tifozëve është faktor shumë i rëndësishëm për arritjen tek fitorja.
“Deri tani na kanë mbështetur dhe besoj se edhe në ndeshjen e nesërme do të vijnë në stadium në numër të madh për të na përkrahur. Ata janë lojtari i 12-të dhe shtysë e madhe për ne. Ua siguroj se do t’i shpërblejmë me lojë të bukur dhe besoj në rezultat të mirë, atë që të gjithë e presin, fitoren”,përfundoi Marjan Radeski.
Ndeshja midis FC Struga Trim Lum dhe Buduçnost Podgorica do të luhet të mërkurën prej orës 17:00 në stadiumin e qytetit në Ohër. Biletat mund të blihen online në platformën në karti.com.mk ose në “Empire Lounge” në Strugë.