Partitë politike vazhdojnë përplasjet për pagat

Partitë politike në pushtet nuk kursehen të lavdërohen për masat ekonomike që thonë se në kohë krize siguruan paga dhe pensione më të larta. Sipas LSDM-së, pas 15 vitesh është nënshkruar Marrëveshja e re e përgjithshme kolektive për sektorin publik. Që nga shtatori pagat në sektorin publik do të rriten 10%, ndërsa të gjithë përafërsisht 130.000 të punësuarit do të marrin edhe K-15 në vlerë prej 10.000 denarë.

“Masat dhe politikat ekonomike të LSDM-së siguruan që paga minimale të rritet në 20.175 denarë nga 8.800 denarë që ishte në vitin 2017. Paga mesatare për gjashtë vite nga viti 2017 deri në vitin 2023 është rritur për 59% nga 22.889 në 36.465 denarë, përkatësisht për 13.576 denarë. LSDM siguroi rritje rekorde të pensioneve, e cila me rritjen që pason në shtator do të arrijë në kuotën e 25%-it”, thonë nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.

Ndërkaq, nga partitë opozitare thonë të kundërtën. Kur rritja e shpenzimeve ka arritur majat, kjo ngritje e pagave dhe pensioneve është qesharake. Nga Lëvizja e re e Izet Mexhitit thonë se është turp të promovohet rritje e rrogave 16.1% në kohë kur inflacioni është 14.2%. Ata konstatojnë se tek shumica e qytetarëve jo që nuk ka rritje të standardit jetësor, por qytetari i thjeshtë ka varfërim të vazhdueshëm.

“Ditëve të fundit shohim krekosje nga Qeveria se rroga mesatare është rritur për 16.1%, në një periudhe ku inflacioni ishte 14.2%, gjithashtu kjo rritje vjen kryesisht si rezultat i vetëm disa sektorëve siç është sektori i IT, por kjo nuk do të thotë që ka rritje e gjithë ekonomia. Pyetja e vërtetë është: Sa është rritur rroga mesatare deri sot tek shumica e qytetareve, për ato që janë të punësuar në administratën publike dhe shtetërore, sa është rritur paga e të punësuarve në ndërmarrjet publike?”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes BESA.

Marrëveshja kolektive për pagat në sektorin publik dhe K-15 u arrit të martën mes qeverisë dhe përfaqësuesve të sindikatave. Marrëveshjes i paraprinë bisedime të gjata në Këshillin Socio-ekonomik. Sipas marrëveshjes, në fillim të vitit të ardhshëm do të ketë sërish rritje e cila do të varet nga inflacioni. Në rast se inflacioni në dhjetor është 7 për qind atëherë rritja e pagave do të jetë 4 për qind. Nga marsi 2025 do të përdoret metodologjia e re duke marrë për bazë pagën mesatare dhe koeficientin mbi kompleksitetin në punë. /Alsat.mk