Pas intervistës në Alsat, të kryetarit të VMRO DPMNE-së Hristijan Mickoski, se kjo parti 100% nuk do ti mbështesë ndryshimet kushtetuese, LSDM doli me akuzën se opozitën po punon për të bllokuar integrimin evropian të vendit. Në kumtesë për mediat nga LSDM thonë se Mickoski po pengon realizimin e qëllimit strategjik të shtetit.
“Me këtë Mickoski punon kundër gjuhës maqedonase në BE, kundër interesave të qytetarëve për standard më të mirë të jetesës, rritje më të lartë ekonomike, paga më të larta dhe qasje në fondet evropiane. Mickoski, në mënyrë shkatërruese për partinë e tij, punon për interesa të tjera dhe kundër BE-së. Kushdo që dëshiron ta mbajë vendin jashtë BE-së, të izoluar, punon drejtpërdrejt në dëm të interesave më të larta kombëtare dhe shtetërore. Maqedonia, pas 17 vitesh pritje, filloi negociatat me BE-në dhe tani është e nevojshme të përshpejtohet procesi me qëllimin përfundimtar anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030”, thonë nga LSDM.
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha se si Bullgaria ashtu edhe faktori ndërkombëtar nuk japin asnjë garanci se nuk do të ketë kushte të reja për Maqedoninë, nëse do të bëjë ndryshimet Kushtetuese. Ai në intervistën për Alsat doli me një propozim që sipas tij do ishte garanci për Maqedoninë se nuk do të ketë kushte të reja nga Sofja.
”Ja unë u jap një propozim, le ta fshijnë marrëveshjen dypalëshe nga korniza e negociatave dhe atëherë të gjithë do të jemi të sigurt se nuk do të ketë kushte shtesë. Vetëm mos të japin përgjigje se këto gjëra janë të pandryshueshme. Nëse japin përgjigje të tillë atëherë, ne besojmë në atë që e thotë, Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Roma, Parisi e të tjera. Besuam më shumë se dy dekadat e kaluara, por fatkeqësisht ende jemi në korridor, ndërsa shumë shtete që ishin shumë më pas prej Maqedonisë ose janë në proces të negociatave ose janë anëtare të BE-së”, deklaroi Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE.
Mickoski tha se zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë zgjidhja e vetme për nxjerrjen e vendit nga kriza e thellë politike dhe ekonomike në të cilën e ka futur qeveria e LSDM-së dhe BDI-së./Alsat.mk