E premtja e zezë në Shqipëri mori 11 viktima

Dita e djeshme ishte e zezë për disa familje në Shqipëri, të cilët humbën të afërmit e tyre në mënyrë tragjike. Ngjarja më e rëndë ishte ajo në Gramsh, ku katër anëtarë të familjes Zogu humbën jetën derisa sa po laheshin në liqe. Viktima janë Gazment Zogu, 46-vjeç, dy djemtë e tij 14 dhe 19-vjeç si dhe nipi 20-vjeçar. Pjesëtarët e RENEA-s arritën të nxirrnin trupat e pajetë në orët e vona të së premtes.

“Ngjarja, me gjithë mend, është shumë e rëndë! Babai me gjithë dy djemtë e vet kanë ardhur për tu larë dhe kanë tërhequr njëri-tjetrin. Është zhytur i pari, ka vajtur për ta ndihmuar i dyti që të tre nuk kanë ditur not dhe po ashtu i katërti djali tjetër nuk ka ditur not dhe kanë mbytur njëri-tjetrin. Këtu në liqe fatkeqësisht ka pasur disa gropa të bëra në kohën e bërjes së HEC-it të Banjës dhe ato vrima janë të menjëhershme dhe ata kur janë futur për tu larë nuk e kanë ditur dhe kanë rënë direkt në ato gropa”, tha Ilir Llapushi, Shefi i zjarrfikësve në Gramsh.

Dy viktima të tjera u shënuan në plazhet e Durrësit dhe Tales. Njëra ngjarje ndodhi në plazhin e Durrësit ku një 68-vjeçar në Porto Romano sapo është futur në ujë ka shfaqur probleme shëndetësore, ku ka gjetur vdekjen. Ngjarja tjetër ndodhi në plazhin e Tales ku humbi jetën një 52-vjeçar.

Në aksidente komunikacioni dhe fatkeqësi të ndryshme gjatë ditës së premte në Shqipëri humbën jetën 11 persona. /Alsat.mk