Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) apelon te qytetarët që të jenë konsumatorë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm dhe të mos bien pas informacioneve të paverifikuara dhe të pakonfirmuara për shitjen e suplementeve ushqimore përmes rrjeteve sociale dhe përmes ueb platformave të operatorëve të paregjistruar/të paaprovuar, sepse produktet mund të jenë edhe të pasigurta, pavarësisht nëse janë produkte të prodhuara në vend apo të importuara.
AUV kujton se shërbimet e saj të inspektimit kryejnë kontrolle në funksionimin e operatorëve të aprovuar/regjistruar me ushqime dhe suplemente ushqimore, përkatësisht, të gjitha kompanive që janë pjesë e zinxhirit ligjor të prodhimit dhe tregtisë, përfshirë edhe ato që kryejnë shitje elektronike të produkteve të tyre.
“Blerja e produkteve të tilla përmes rrjeteve sociale dhe platformave të internetit të operatorëve të paregjistruar/pa miratuar, pa u informuar paraprakisht konsumatorët nëse janë të miratuara apo jo, është përgjegjësi e tyre personale. Nëse suplementet që shiten përmes rrjeteve sociale apo mediave elektronike janë të miratuara nga AUV-ja, gjegjësisht nëse i plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të sigurisë së kësaj kategorie të produkteve, qytetarët mund të informohen në faqen e internetit të AUV www.fva.gov.mk”, thekson AUV.
AUV nuk ka mundësi të kontrollojë këtë kategori shitësish, pasi personat janë të panjohur dhe me adresë të panjohur. Për të përcaktuar vërtetësinë e profilit nga i cili bëhet shitja dhe për të zbuluar personin – pronarin e FB profilit, AUV bashkëpunon me Ministrinë e Punëve të Brendshme.
“Konsumatorët mund të raportojnë në Agjenci për çdo mospërputhje në aspektin e sigurisë ushqimore, me shkrim, në mënyrë elektronike në info@fva.gov.mk, ose në linjën telefonike falas për konsumatorët 0800 3 22 22″, thekson AUV.