Apel nga MPB: Lojëra shpërblyese false shpërndahen në internet, qytetarët të jenë të kujdesshëm

Në periudhën e kaluar, sektori i krimeve kompjuterike pranë Byrosë së Sigurisë Publike të Ministrisë së Punëve të Brendshme konstatoi një dukuri të shtuar të raportimeve për lojëra shpërblyese false në internet, nëpërmjet përdorimit të rrjeteve sociale, veçanërisht përmes rrjetit social Facebook. Nga MPB-ja njoftojnë se përmes hapjes së profileve false me emrin e ndonjë kompanie të njohur nga vendi, me qëllim marrjen e të dhënave personale të paautorizuara nga qytetarët.

Me rastin e hapjes së profileve false përdoret logoja dhe marka e kompanisë, me njoftim se për shkak të një rasti të caktuar (ditëlindja e supozuar e kompanisë etj.) organizohet një lojë shpërblyese me dhurata të ndryshme për fituesit me fat, si kupona me vlerë, celularë dhe çmime të tjera të supozuara.

Njëkohësisht, qytetarët për të marrë pjesë në këto lojëra shpërblyese të cilat janë false, luten të bëjnë “like” në faqen dhe postimin konkret, të shkruajnë “Unë marr pjesë” në koment, si dhe ta shpërndajnë atë, për të përhapur sa më shumë lojën shpërblyese false. Më pas, krijuesit e këtyre lojërave shpërblyese false, u dërgojnë mesazh qytetarëve se janë fitues të një çmimi dhe për ta kërkuar atë duhet të japin të dhënat e tyre personale, të dërgojnë një foto të letërnjoftimit.

“Ministria e Punëve të Brendshme, në interes të mbrojtjes së qytetarëve, të dhënave të tyre personale dhe keqpërdorimeve dhe pasojave të mundshme i bën apel publikut për vigjilencë të veçantë gjatë ndarjes së të dhënave personale, veçanërisht përmes internetit. Në të njëjtën kohë, apelojmë tek qytetarët që të dhënat e tyre personale t’i trajtojnë me kujdes dhe përgjegjësi të veçantë, të mos i ndajnë dhe shkëmbejnë me persona të panjohur, si dhe me persona, identiteti i vërtetë i të cilëve nuk mund të përcaktohet”, thuhet në njoftimin e MPB-së.