Ku po fundoset Festivali “Këngë Jeho”, pse?
Struga e bukur, e poezisë, e artit dhe kulturës, një nga vlerat më të mëdha kulturore shqiptare ka festivalin e këngëve dhe valleve të njohur në të gjitha trojet shqiptare, festivalin “Këngë Jeho”.
Tridhjetë vite rradhazi qytetarët e Strugës kanë dhënë kontribut në lidhje me jetëgjatësinë e këtij festivali. Mund të themi se është një nga festivalet i cili mban gjallë traditën tonë shqipëtare. Ky festival u krijua 32 vite më parë ku, organizimi edhe pse në kushte shumë të vështira të asaj kohe, interesimi i qytetarëve ishte tej mase.
Tv Kaltrina është një ndër televizionet që mban arkivën e Festivalit 32 vite rradhazi dhe kujtoj me nostalgji netët e festivalit, ku i gjith publiku ngrihej në këmbë për ta mbajtur gjallë këtë festival, mernin pjesë të gjithë shoqëritë kulturore artistike të vendit e më pas nga të gjithë trojet shqiptare. Mendoj se mirnjohjet e para të festivalit duhet që tu shkojnë organizatorëve të viteve 90 e jo politikaneve tonë.
Por vit për vit, kjo vatër e kulturës shqiptare në Strugë, e cila ka promovuar këngën, vallen dhe traditat e të gjitha trojeve shqiptare anembanë po zbehet, po humb vlerat dhe peshën. Arsyet janë të shumta, por do përpiqem ti përshkruaj vetëm disa: Për disa vite me radhë, skena ka qenë thuajse e njejta, biles këtë vit edhe më e dobët, për dallim nga vitet e 90-ta kur skenen e bënte Sezairi, ato që e njohin e dinë shumë mirë. Dhe që atëherë pavërësisht a kishte tendenca për ta penguar ose jo, çdo vit skena ishte e ndryshme, me plot elemente që përfaqësonin trojet dhe traditat shqiptare. Ka disa vite që festivalin nuk e prezantojnë prezentues/e nga Struga. Pse?! Ndoshta sepse sot kur festivalin e sponzorizon Ministria e Kulturës, diktohet nga dikush tjetër se kush do ta prezantojë festivalin. Kuptohet me pagesë se po të ishte pa pagesë atëherë dihet se ku do të drejtoheshin.
Në të dy netët e festivalit nuk u vendos flamuri jonë kombëtar (flamuri shqipërar), kurse në natën e tretë, në anën e majtë të skenës u vendos vetëm flamuri shtetëror i RMV-së, ndërsa flamuri jonë kombëtar, vlerat e të cilit duhet ti përfaqësojë festivali “Këngë Jeho” nuk u vendos. Thuajse në fund të festivalit, me siguri dikujt i ra në sy se në skenë është vendosur flamuri i RMV-së, e tek atëherë dikush e vendosi edhe flamurin shqiptar. Madje organizatorët nuk e kishin fare flamurin, por për fat të tyre arbëreshet si çdoherë vijnë me flamurin kombëtar. E organizatorët tonë, shkuan e moren flamurin e arbëreshëve dhe e vendosën ne skenë. Që festivali “Këngë Jeho” nuk është më festival, siç ishte në vitet ‘90, dhe që ka humbur vlerat, kjo vërehet edhe nga pjesëmarrja e publikut që ishte në numër të vogël edhe pse pjesëmarrja ishte pa pagesë, ndërsa në vitet ‘90 kur festivali kishte vlera, mbahej tek stadiumi i qytetit, hyrja ishte me pagesë, por qytetarët shtyheshin në radhë për të mund të hyrë brenda dhe për të ndjekur këngët dhe vallet nga shoqëritë kulturore artistike që merrnin pjesë nga Çamëria e deri në Preshevë e Mitrovicë. Sepse atëherë kishin çfarë të shohin, pasi ishte festival edhe garues, për dallim prej tani që me keqardhje do e quaja turpërues! E mos harrojmë se atëherë “Këngë jeho”, nuk finasohej nga Ministria, por nga bizneset dhe qytetarët tonë, sidomos nga mërgimtarët. Kurse tani, me siguri Ministria dikton se kush do marrë pjesë. Pse ky dyshim, sepse nëse për tre dekada me radhë festivali promovonte vlerat kulturore shqiptare, këtë vit tre net me radhë në festival performuan shoqëri nga Greqia dhe Bullgaria, gjë që mua nuk më pëlqeu. Jo se jam kundër traditës dhe kulturës së fqinjve dhe kombeve të huaja, por festivali ka pasur tjetër qëllim dhe tjetër përbërje. Si popull nikoqir dhe mikpritës do e kuptoja sikur të kishte ndodhur një natë, por në tre netë, nga Festival i Këngëve dhe valleve shqiptare, u shndërrua në festival i këngëve dhe valleve greke dhe bullgare. Vlen për të theksuar se derisa zgjaste festivali, fokusi i organizatorëve dhe prezantueses ishte të falënderonte grimeren dhe parukieren që janë kujdesur për dukjen e saj, por askujt nuk iu kujtua të përmend ato njerëz që e themeluan festivalin dhe për tre dekada kanë dhënë kontributin për të mbajtur gjallë atë duke sakrifikuar kohën, dijen e ndonjëherë edhe paratë e tyre, nuk u përmendën as nuk u falënderua as TV Kaltrina që prej vitit 1993 e deri më sot, inçizoj dhe trensmetoi të gjitha edicionet. ( Nuk e di se kujt i pengon e vërteta, të falënderosh të gjithë ata që kanë dhënë kontributin për festivalin, kurse sot falënderohen dhe i japin mirënjohje vetëm atyre që janë të afërt me drejtorin e festivalit). Prezentuesja permendi se qënka bërë edhe një dokumentar për festivalin, por ende nuk është shfaqur askund ai dokumentar, nuk e di a është bërë në realitet ose vetëm në letër. Nëse është realizuar, atëherë publikoni ose transmetoni diku, ta shohim se si duket dhe se a janë përfshirë të gjithë ata personalitete që meritojnë të përmenden në atë film dokumentar
Uroje që vitin e ardhshëm ky festival të rikthehet në fillimet veta, e mira do të ishte që të ketë reagime edhe nga ish- organizatoret e vitetve ‘90 kur vlera e këtij festivali ishte një perlë e vertet.