Periferia e Athinës është e përfshirë nga zjarre masive të cilat po vazhdojnë edhe sot.
Shumë avionë me ujë janë mobilizuar për të ndihmuar dhjetëra ekuipazhe tokësore dhe njësi të lëvizshme që po përpiqen të shuajnë tre zjarret në rajonet e Atikës, Korinthit dhe Viotisë për të dytën ditë, pasi erërat e forta dhe temperaturat e larta vazhduan të përkeqësonin situatën.
Zjarri më i madh duket se ka qenë në Dervenohoria, një grup fshatrash në Viotia, rreth 45 kilometra në veriperëndim të Athinës, megjithëse zjarret në vendpushimin bregdetar të Atikës Lindore të Saronidës dhe jashtë Loutraki në Korinth kanë qenë gjithashtu tepër aktive, pavarësisht përpjekjeve gjatë gjithë natës për t’i frenuar ato.
Media ERT tha se tre zjarrfikës kanë marrë trajtim mjekësor për lëndime në sy, ndërsa zëdhënësi i Shërbimit Zjarrfikës, Yiannis Artopios tha në një konferencë shtypi sot në mëngjes se shtëpitë janë shkatërruar si në Saronida ashtu edhe në Lutraki, duke shtuar se një vlerësim i duhur i dëmeve do të kryhet pasi flakët të vihen nën kontroll.
“Prioriteti kryesor ishte dhe mbetet mbrojtja e jetës njerëzore dhe, natyrisht, mbrojtja e infrastrukturës publike kritike”, theksoi ai.
Observatori Kombëtar i Athinës, ndërkohë, lëshoi një alarm të nivelit 4, më i larti për rrezikun e zjarrit sot në mëngjes për pjesët lindore të vendit, duke përfshirë kryeqytetin grek, pjesë të Peloponezit dhe ishujt e Egjeut, ku erërat e forta dhe temperaturat e larta përbëjnë një rrezik të veçantë, ku situata pritet të përkeqësohet gjatë ditëve të ardhshme.