Shqiptohen 30 masa për kompanitë që nuk kanë respektuar udhëzimet e Qeverisë për mbrojtje nga temperaturat e larta

Inspektorati Shtetëror i Punës në RMV gjatë ditëve të fundit ka kryer 164 inspektime për respektimin e masave dhe rekomandimeve për mbrojtjen e qytetarëve nga temperaturat e larta, ndërsa 30 kompanive iu është ndaluar kryerja e veprimtarisë.

Këtë e bëri të ditur sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

“30 masa për punëdhënësit që nuk i respektuan masat e Qeverisë”, theksoi Trençevska duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve.

Qeveria dha alarmin për rrezikun e temperaturave të larta dhe rekomandoi që gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç të lirohen nga puna.

Çerdhet duhet të organizojnë orarin e tyre të punës nga ora 7:00 deri në 17:00 dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë pas orës 11:00.