Temperatura përvëluese edhe javën tjetër, deri në 43 gradë

Tashmë dy ditë vendi është kapluar nga faza portokalli. Sinoptikët parashikojnë që temperaturat të arrijnë madje deri në 43 gradë Celsius. Kjo do të thotë më shumë punë për Qendrat Urgjente, ku në këtë periudhë ka më shumë thirrje për ndihmë. Milica Bubalo, nga Qendra Urgjente, tha se për dallim nga verat e kaluara numri i thirrjeve nuk është shumë i lartë, po sidoqoftë është ende herët, sepse sot është dita e dytë kur temperaturat pësuan rritje ekstreme.

“Kjo do të thotë se qytetarët i respektojnë deri diku rekomandimet dhe nuk lëvizin në periudhën më të nxehtë nga ora 11 deri në orën 17. Deri tani kemi pasur vetëm 5 raste kur qytetarët janë alivanosur në vende publike për shkak të nxehtit dhe gjithashtu kanë ndodhur edhe katër aksidente. 27:08 Më shumë ankohen të sëmurët kronik, andaj edhe ne bëjmë apel gjithmonë që ata vazhdimisht të marrin terapinë e tyre dhe të bëjnë kontrolle të rregullta, siç u thotë specialisti. Nëse kanë probleme të reagojnë në kohë dhe të kontaktojnë mjekun e tyre”, deklaroi Milica Bubalo- Qendra Urgjente.

Ministria për Punë dhe Politikë Sociale ka shpallur për katër ditë fazë portokalli në vendin tonë dhe në fuqi janë masa që shërbejnë për të mbrojtur shëndetin e kategorive më të rrezikuara të qytetarëve në këto ditë të nxehta. Inspektorati i Punës për dy ditë ka bërë 90 inspektime duke dhënë 12 vendimet për respektim të rekomandimeve dhe 26 për ndalesë të punës.

“Masat e përgjithshme që duhet të respektohen janë: Përjashtim nga detyrimet e punës për grupet më vulnerabël të popullsisë, si – gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Në ambientet e kujdesit për fëmijët (kopshtet), nuk duhet të praktikohet aktiviteti fizik dhe fëmijët nuk duhet të nxirren jashtë në mes të orës 11:00 dhe 17:00”, thonë nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.

Kjo valë e të nxehtit do të vazhdojë së paku edhe gjatë javës së ardhshme në të gjithë territorin e vendit. Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se në pjesën më të madhe të vendit temperaturat ditore do të jenë mbi 35 gradë, e vende-vende edhe mbi 40 gradë, prandaj do të jetë aktiv niveli portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta. /Alsat.mk