Përpjekje e re e shtuar diplomatikë për të bindur opozitën dhe deputetët e saj të votojnë ndryshimet kushtetuese. Në Shkup, me porosi të përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme, Xhozef Borell, qëndrojnë tre ministrat e Jashtëm, Shalenberg i Austrisë, Lipavski i Çekisë dhe Vllahovski i Sllovakisë.
Kryediplomatët takojnë kreun e opozitës Hristijan Mickoski, grupet parlamentare, kreun e Kuvendit Xhaferi dhe Presidentin Pendarovski.
“Nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të vazhdojmë me procedurat përkatëse dhe të nevojshme kushtetuese që përfundimisht të fillojmë procesin e negociatave. Me prolongimin e ndryshimeve kushtetuese, vetëm se do të vonohet progresi i Maqedonisë”, tha Aleksandar Shalenberg, ministër i Jashtëm i Austrisë.
“Kemi ardhur që t’i inkurajojmë të gjithë aktorët politik për t’i kryer të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim. NATO-ja është garanci për siguri kurse BE-ja është garanci për prosperitet dhe përparim”, u shpreh Jan Lipavski, ministër i Jashtëm i Çekisë.
“Ky është momenti për të kryer detyrat e nevojshme të shtëpisë për të vazhduar sa më shpejt në procesin e negociatave”, theksoi Mirosllav Vllahovski, ministër i Jashtëm i Sllovakisë.
Ndryshimet kushtetuese do të dorëzohen në Kuvend brenda dy javësh, është premtimi të cilin pushteti e përsërit vazhdimisht. Ata shpresojnë që kur deputetët të shohin përmbajtjen e draft amendamenteve, do ta kenë më të qartë se ky proces të cilin tani ministri i Jashtëm Bujar Osmani e quan vetëm “plotësim të kushtetutës”, është vetëm teknik. Osmani thotë se opozita dhe askush s’do të mund të ndryshojë kornizën negociuese dhe se këto ndryshime duhet të bëhen herdo-kurdo.
“Vizita e përfaqësuesve të lartë me mandat nga BE-ja, sipas meje, ka për qëllim të thotë se BE-ja qëndron pas kësaj marrëveshje, se marrëveshje më të mirë nuk kemi mundur të kemi, se askush s’mund ta ndryshojë atë marrëveshje, gjegjësisht askush në të ardhmen nuk mund ta ndryshojë kornizën negociuese. Kështu që çdo premtim i cilitdo se kurdo do të mund të ndryshojë qoftë edhe një presje të kornizës negociuese, është argument i rrejshëm që jemi këtu për ta hedhur poshtë”, deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Mickoski para takimit me delegacionin që qëndron në Shkup në emër të Borell tha se do të ishte i zhgënjyer nëse ministrat do të flasin vetëm për ndryshimet kushtetuese. Ai thotë se nuk ndryshon qëndrim për ndryshimet kushtetuese dhe pret zgjedhje të reja.
“Më shumë vëmendje do t’u japim krimit dhe korrupsionit, mungesës së reformave, katastrofës në sistemin arsimor, katastrofës në shëndetësi… Në të gjitha anketat, qytetarët e Maqedonisë ndryshimet kushtetuese nuk i vënë as në listën e dhjetë prioriteteve të para. Unë pres që më në fund njerëzit e pushtetit të vetëdijesohen dhe të dalim me një takim në të cilin do të definojmë datën e zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Draft amendamentet për ndryshim të kushtetutës dhe përfshirjen e bullgarëve dhe disa pakicave të tjera në Kushtetutë janë gati prej kohësh por qeveria heziton t’i vendosë ato në rend dite dhe më vonë t’i procedojë në Kuvend. /Alsat.mk