Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti ka realizuar sot takim me ministrat e punëve të jashtme të Austrisë, Alexander Schallenberg, të Çekisë, Jan Lipavsky dhe të Sllovakisë, Miroslav Wlachovsky, në kuadër të vizitës së tyre zyrtare në vendin tonë, thuhet në njoftimin e BDI-së.
“Temë qendrore e diskutimit gjatë këtij takimi ishte rrugëtimi europian i vendit, rëndësia dhe domosdoshmëria e miratimit të ndryshimeve kushtetuese, rrjedha e procesit të skriningut, sfidat e reformimit të vendit në frymën europiane dhe rëndësia e ruajtjes së stabilitetit vendor dhe rajonal.
Ahmeti informoi diplomatët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian mbi përkushtimin dhe planin e koalicionit qeverisës për të trasuar rrugën e sigurtëdrejt horizontit të Europës, mbi iniciativën e krijimit të një fronti të fuqishëm europian që do të prijë me sukses procesin jetik të miratimit të ndryshimeve kushtetuese që nuk duhet perceptuar vetëm si kusht i zhbllokimit të rrugës europiane, por edhe si mekanizëm për përforcimin e kapaciteteve demokratike të vendit.
Ahmeti ka potencuar se vendi ka forca progresive që po përkujdesen për ruajtjen e orientimit proeuropian të vendit, të përkushtuara në finalizimin e procesit të skriningut, targetimin e pikave kyçe të veprimit reformues në frymën europiane dhe vendosjen në dispozicion të të gjitha kapaciteteve institucionale për tejkalimin me sukses të sfidave që dalin nga hapja e kapitujve të negocimit.
Ai ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e deritanishme të të gjitha vendeve anëtare të Europës për të gjitha arritjet e deritanishme të vendit, duke kërkuar prej tyre thellimin e mëtejshëm të asaj mbështetje në çastet jetike për të ardhmen europiane të vendit”, thonë nga BDI.
Stabiliteti vendor, shtojnë nga BDI, rajonal dhe i mbarë kontinentit europian është prioriteti parësor që mund të garantohet vetëm përmes integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo rrugë nuk duhet të rrezikohet dhe të mbahet peng e ardhmja europiane e qytetarëve nga interesat e ngushta subjektive.