Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme shqyrtoi Informacionin nga Ministria e Shëndetësisë në lidhje me temperaturat e larta që pritet të arrijnë gjatë ditëve të ardhshme.
Për shkak të temperaturave të larta, Qeveria rekomandon lirimin nga puna të grupeve të rrezikuara, siç janë gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjet.
Po ashtu në çerdhe nuk duhet të ketë aktivitete fizike për fëmijët në hapësira të hapura nga ora 11:00 deri në ora 17:00, kurse njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq dhe Qendrat për Punë Sociale të ofrojnë ndihmë për të moshuarit e vetmuar dhe të pastrehët.
“Qeveria po ashtu vendosi që organet shtetërore dhe institucionet të respektojnë rekomandimet. Qeveria rekomandon që sektori privat të organizojë orarin e punës me qëllim që të mbrojë punëtorët nga dielli nga ora 11:00 deri në ora 17:00. Të gjitha subjektet juridike që kanë aktivitete në hapësira të hapura, të ndalojnë me aktivitet nga ora 11:00 deri në ora 17:00, posaçërisht për punëtorët e krahut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Masat do të jenë në fuqi nga 13 deri më 16 korrik.