Pritjet e gjata në vendkalimin kufitar Bllacë, shkaktojnë revoltë tek udhëtarët

Qytetarët po ankohen për pritjet e gjata në vendkalimin kufitar të Bllacës që lidh Maqedoninë e Veriut me Kosovën.

Sipas një kronike nga ALSAT, në pikën kufitare në Bllacë çdo ditë pune hyjnë dhe dalin deri në 15 mijë udhëtarë, ndërsa gjatë vikendeve ky numër arrin deri në 20 mijë dhe kjo gjë, sipas autoriteteve të kësaj pike, ndikon në rritjen e radhëve të pritjes për ata që udhëtojnë nga Maqedonia e Veriut në Kosovë dhe anasjelltas.

Por pritjet e gjata, sipas udhëtarëve ndodhin kryesisht në anën e Maqedonisë, por jo edhe në atë të Kosovës.

Komandanti i Stacionit policor në këtë pikë kufitare, Besim Asani pajtohet se ndonjëherë pritjet janë më të gjata, por arsyetohet se kjo gjë ndodh për shkak të lëvizjeve të mëdha. Ai shtoi më tej se kapaciteti i kufirit është i vogël për këtë fluks të udhëtarëve, ndërsa kjo pikë kufitare po përballet me numër të vogël të punëtorëve tek pikat për kontroll të pasaportave, që sipas tij po punojnë me kapacitete të përgjysmuara. Asani tha se sipas planit operativ për sezonin verore kur numri i lëvizjeve është i lartë do të ketë lehtësim të kontrolleve. /Alsat.mk