LUTFI DERVISHI: NISA DJALIN PËR NË STAN, AI MË KTHEHET “AKADEMIK”

Nisa djalin për në stan
Me pahir e me vërtik
Unë e nisa për çoban
Ai më kthehet “akademik”

Mbeten dhëntë vetëm te mali
Ujku mund të ketë bërë kërdinë
Po me djalin më ka zënë halli
Kërkon shok për Akademinë!

Do kompjuter për të bërë zoom
Kërkon lekë- thotë, për provime
Do këpucë e do kostum
Dhe këto i quan “thërrime”

Sot nuk di ku e kam kokën
Shtëpia trok e stani bosh
S’mundem më të punoj tokën
Djali më është bërë sarhosh

Më sheh vëngër dhe nga lart
Sa hap gojën me thotë: prit
Nuk do rri më në fshat
Do të bëhem akademik

Hall të madh kam dhe me gruan
Ditën qan, natën ofshan
“më ka mbet dybeku bosh
Edhe dhëntë vetëm në stan”