Që trendi i rënies së numrit të nxënësve në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet me shpejtësi vërehet në të dhënat e fundit të ESHS-së, të cilat tregojnë se në vitin shkollor 2009-2010 në shkollat e mesme kanë qenë mbi 95 mijë nxënës, ndërsa në vitin 2021-2022 numri i tyre ka shkuar në 71 mijë nxënës.
Sipas këtyre të dhënave në 13 vitet e fundit rënia ka qenë më shumë se 24 mijë nxënës ose ¼ e tyre. Në dy dekadat e fundit, numër rekord i nxënësve të regjistruar ka qenë në vitin 2005-2006 kur ishin regjistruar gati 96 mijë nxënës.
Indikator i rënies së këtij numri është fakti se shkollat e mesme të njohura të Shkupit për të cilat deri para disa vitesh kërkohej vende shtesë, nuk u plotësuan as pas afatit të dytë të aplikimit, përkundrazi vende të lira mbeten edhe në shkollën e mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup ku para disa vitesh kishte dyndje të aplikantëve. Për këtë vit akademik për vitin e parë të arsimit të mesëm të hapura ishin gati 30 mijë vende, ndërsa janë regjistruar vetëm 15.481 nxënës. Për ata të cilët do t’i nënshtrohen provimit do ketë edhe një afat shtesë në gusht. Përderisa para 10 vitesh kishim diku rreth 19 mijë nxënës në një gjeneratë, para 5 vitesh kjo shifër shkoi në 17 mijë, kurse tani është edhe më e vogël.
Regjistrimi i vitit 2021 tregoi se numri i të rinjve në vend është në rënie drastike, pasi në dy dekadat e fundit numri i të rinjve deri në 29 vjeç është ulur në 270 mijë banorë. Rënie të këtyre numrave ka në të gjitha komunat, por më të theksuara janë komunat më të vogla, sikurse Makedonski Brodi ku për 13 vite numri i nxënësve është ulur për 4 herë më shumë, Pehçeva për 3.5 herë, Krusheva për më shumë se 3 herë, Vallandovë 2.5 herë.
Kryetarët e këtyre qyteteve fajin e shohin tek reformat arsimore që u bënë në vitin 2008 kur arsimi i mesëm u bë i obligueshëm. Kryetari i komunës Makedonski Brod, Zharko Risteski u shpreh se nxënësit e tyre mësimin e vazhdojnë në Prilep apo Manastir, e një pjesë e vogël edhe në Shkup. Sipas tij duhet ndërmarrë masa që kjo gjendje të ndryshojë, pasi siç tha ai, para 4 vitesh ka pasur vetëm 11 nxënës që regjistroheshin në vitin e parë, ndërsa tani janë 37, në një kohë kur 55-60 nxënës përfundojnë shkollën fillore.
“Tani japim nga 5.000 denarë për çdo gjimnazistë që regjistrohet tek ne, e përveç kësaj, në bashkëpunim me kompaninë ATS Group nga Samokov, kemi hapur një paralele të dyfishtë të inxhinierisë mekanike ku nxënësit shkojnë në praktikë me pagesë. Ata që duan të studiojnë do mund të marrin edhe bursa nga fabrika, kështu filloi të rritet edhe numri i nxënësve të regjistruar. Nuk është një rritje e madhe në numër, por është një rritje e madhe në përqindje”, u shpreh Risteski.
Qëndrim të përafërt kishte edhe kryetari i Vallandovës Pero Kostadinov sipas të cilit ata po përpiqen ta zgjidhin problemin me dy klasa në inxhinieri mekanike, të cilat do të shkojnë në praktikë në fabrikat e zonës. “Po luftojmë për çdo nxënës, shumë po punojmë në atë drejtim. Qëllimi ynë është që së paku 70% e nxënësve që përfundojnë arsimin fillor të regjistrohen këtu, por për këtë nevojitet një ndërhyrje ligjore. Me këtë ligj ne po krijojmë shkretëtira në vendin tonë”, u shpreh Kostadinov.
Në qytetet e mëdha aktualisht Gostivari ka 43% më pak nxënës, Kërçovë 42%, Strugë 34%, Tetovë 32%, Veles, Strumicë, Kumanovë 30%, Ohër 25%, Manastir 23%, Prilep 22%, dhe Shtip 20%. Kësaj rënie nuk i shpëton as kryeqyteti ku emigrimi i brendshëm është i madh, për momentin numri i nxënësve të regjistruar është diku mbi 2.000 nxënës më pak, ose 8%. Përkundër rënies së numrit të nxënësve, numri i profesorëve është diku 5 herë më i lartë sesa studentët e diplomuar.