
Sistemi për pagesë të përbashkët elektronike me një pajisje “TAG” gjatë udhëtimit nëpër Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë dhe Serbinë është testuar me sukses dhe është gati për përdorim nga e shtuna, 1 korrik, njoftuan dy Ndërmarrjet Publike për Rrugët Shtetërore të Maqedonisë dhe Serbisë.
Mediat raportojnë se do të funksionojë që automjetet nga këto tre vende të mund të paguajnë taksë në Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Shqipëri me pajisjen që tashmë e kanë pa u ndalur apo blerë një pajisje apo kartë shtesë.
Projekti u shpall në shtator 2021 si pjesë e iniciativës Ballkani i Hapur.
Po punohet për futjen e këtij sistemi edhe në Kroaci, ndërsa po zhvillohen negociata edhe me Greqinë.