Liqeni i Ohrit po shteret pa pushim për prodhimin e energjisë elektrike, alarmojnë ambientalistët. Të gjitha zonat e bregut të liqenit janë të thata. Ekspertët vlerësojnë se reduktimi i vetëm një centimetri ujë nga niveli, nënkupton humbjen e 3,5 milionë metër kub të liqenit. Ambientalistët vlerësojnë se nëse vazhdohet me një ritëm të këtillë, në të ardhmen gjendja do të bëhet edhe më keq.
“Kur të zvogëlohet niveli i ujit të liqenit të Ohrit, duhet që nëpërmjet lumit Sateska të lëshohet ujë në liqenin e Ohrit që ta mbajmë nivelin e liqenit të Ohrit, duhet që kuotën 696,60 të jetë e qëndrueshme dhe ta ruajmë sepse nëse niveli bie më poshtë atëherë ne po ballafaqohemi me një problem sepse kur ulet niveli i liqenit i gjithë fondi i peshkut që ndodhet në pjesën tonë ikën në pjesën shqiptare, sepse në pjesën shqiptare ka 23 burime ndërsa në pjesën maqedonase 17”- deklaroi Llazo Naumovski, ekolog.
Reagim për këtë situatë patën edhe nga Organizata Ekologjike FRONT 21/42, të cilët për TV21 thanë se besojmë se liqeni i Ohrit duhet të menaxhohet nga një organ profesional i përbërë nga ekspertë.
“Përdorimi i ujërave të liqenit të Ohrit për prodhimin e energjisë elektrike mund të konsiderohet si një nga arsyet si për uljen, e edhe për luhatjen e nivelit të liqenit, që nga ana tjetër ndikon drejtpërdrejt në botën e gjallë në liqen. Sipas mendimit tonë, monitorimi i rregullt i nivelit të liqenit nga një subjekt i pavarur është i nevojshëm dhe jo nga vetë prodhuesi i energjisë elektrike (EMV). Për të parandaluar ndikimet e mëtejshme negative në liqen, për këtë dhe për shumë arsye të tjera, ne besojmë se liqeni i Ohrit duhet të menaxhohet nga një organ profesional i përbërë nga ekspertë, me synimin për të garantuar mbrojtjen dhe promovimin e vlerave natyrore”.- thanë nga Organizata “Front 21/42”.
Sipas të dhënave të Elektranave të Maqedonisë, niveli i liqenit është vetëm 12 centimetra mbi lartësinë minimale dhe është 693,22 metra mbi nivelin e detit, por është edhe 53 centimetra nën lartësinë maksimale, e cila është 693,75. Për shumë vite është diskutuar ideja e ndërtimit të një derdhjeje të automatizuar në digën e Drinit të Zi në Strugë. Por EMV thotë se kjo nuk mund të realizohet pa finalizuar marrëveshjen me Shqipërinë për ripërcaktimin e lartësisë minimale dhe maksimale të liqenit të Ohrit, si dhe me Komunën e Strugës, për pamjen e objektit, që të mos prishet imazhi autentik.