Lirohen tre policët e rrëmbyer nga Serbia, policët kosovarë do të mbrohen në liri

Tre zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët u liruan nga autoritetet e Serbisë, arritën në Kosovë. Rifat Zeka, Beqir Sefi e Mustafë Shemi u pritën nga kolegët e tyre në pikën kufitare në Merdarë. Të njëjtit ishin rrëmbyer më 14 qershor nga autoritetet e Serbisë, derisa po patrullonin në vijën kufitare,  brenda territorit të Kosovës. Avokati i tyre Gradimir Nalliq tha se aktakuza ndaj tyre për veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse është konfirmuar, por se ata do të mbrohen në liri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi përgjegjësi nga Serbia për këtë akt.

“Ky rrëmbim konsiston me një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbahet përgjegjës,” tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se lirimi i policëve “nuk e liron Serbinë nga përgjegjësia për këtë akt flagrant të agresionit kundër Kosovës”. Për lirimin ajo falënderoi Shtetet e Bashkuara

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se përndjekja e policëve nga Serbia do të vazhdojë në liri, “ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar në lidhje me lirimin e 3 efektivëve të cilët ishin arrestuar nga policia serbe. Në një reagim në Twitter, Rama thekson se ky është një lajm i vonuar, por i mirë.

“Kthimi i policëve të Kosovës në shtëpi është një lajm i vonuar, po gjithsesi shumë i mirë, sepse e para, i jep fund heqjes arbitrare të lirisë së tre njerëzve që s’kanë kryer asnjë krim dhe e dyta, rihap rrugën e de-eskalimit e të dialogut. Më vjen mirë që forca e arsyes fitoi mbi arsyen e forcës,” deklaroi  Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë.

 Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili, javën e kaluar, bisedoi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për rastin e tre policëve, tha se ai e ka informuar se, në përputhje me kërkesën që i ka bërë, autoritetet serbe do t’i lirojnë tre policët e Kosovës.

Edhe koomisari evropian për zgjerim, Oliver Varhelyi e ka mirëpritur vendimin e autoriteteve serbe për lirimin nga paraburgimi të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Ai me këtë rast kërkon de-eskalim të situatës në veri, përfshirë këtu zgjedhjet e reja dhe themelimi e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.