Borell: Maqedonia po bën progres dhe nuk ka bllokim për anëtarësimin në BE

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Zhosep Borell, përsëriti se në rastin e Maqedonisë, çështjet bilaterale nuk do ta përcaktojnë procesin e anëtarësimit në Union. Borell porositi se në procesin e anëtarësimit duhet të respektohen vlerat evropiane dhe bashkëpunimi rajonal.

“Maqedonia e Veriut po bën përparim të mirë dhe nuk ka asgjë nga pala evropiane që do ta bllokonte anëtarësimin e saj në Union. Gjatë anëtarësimit, parimet dhe standardet evropiane duhet të respektohen rreptësishtë. Për këtë është i domosdoshëm bashkëpunimi i mirë kurse bashkëpunimi rajonal mbetet element thelbësor, gjithashtu edhe stabilizimi, në mënyrë që të mund të zbatohet procesi i anëtarësimit. Por çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë detyruese dhe nuk do të përcaktojnë procesin e anëtarësimit”, deklaroi Zhosep Borrell– përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme.

Nga ana tjetër, presidenti bullgar Rumen Radev sot u ka dërguar letër liderëve evropianë në të cilën flet për integrimet evropiane të vendit. Radev thotë se në rrugën drejt BE-së është e nevojshme të respektohen parimet e fqinjësisë së mirë si dhe të drejtat e njeriut. Kreu i shtetit bullgar beson se incidentet me klubet dhe gjuha e urrejtjes janë në kundërshtim me angazhimet e tilla.

“Ngjarjet që i shohim sot tregojnë devijim të dukshëm nga rruga e përcaktuar. Kompromisi i gjetur i pranueshëm për të dyja vendet, i arritur nga Këshilli i BE-së në korrik të këtij viti, ende nuk ka çuar në zgjidhjen e problemeve. Shkupi në vend që të punojë në përmbushjen e kushteve, sërish pret që përmes lobimit aktiv të mbulohet mungesa e vullnetit politik për përmbushjen e kritereve të anëtarësimit”, tha Rumen Radev- president i Bullgarisë.

Radev foli edhe për Rezolutën e miratuar nga Bundestagu gjerman, me të cilën kërkohet nga Sofja që të përmbahet nga kushtet shtesë në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së. Ai në letër thotë se ndryshimet kushtetuese janë vetëm kusht paraprak për hapjen e bisedimeve. Radev kujtoi protokollet nga Marrëveshja për fqinjësi të mirë që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, ndryshimet në tekstet shkollore dhe hapjen e arkivave dhe sipas tij, Shkupi nuk ka bërë asgjë për këto obligime deri më tani.. / alsat.mk