Autoritet e Kosovës ekspozuan armatimin e konfiskuar në aksionin e një dite më parë në Veri të Kosovës. Ministri i Brendshëm Xhalal Sveçla tha se me armatimin dhe mjetet shpërthyese që u konfiskuan do të zhvillohej sulm terrorist. Numri “një” i policisë së Kosovës akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se përmes grupeve kriminale po synon ta destabilizojë Kosovën.
“Këto mjete kishin për qëllim realizimin e sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. E gjithë kjo është edhe një dëshmi e radhës që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon ta destabilizojë vendin tonë. Po ashtu, ditët në vijim unë do të kërkoj nga Qeveria e Kosovës që organizatat ‘Mbrojtja civile’ dhe ‘Severna brigada’ të shpallen organizata terroriste, me çka lufta ndaj këtyre organizatave do të jetë edhe më efikase,” deklaroi Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm i Kosovës.
“Vetura Audi është sekuestruar, si dhe gjësendet e gjetura në veturë janë si në vijim, nëntë zola, dy lansues, dy osa, një predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha të tromblonit, dy mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole, një shurdhues i armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, pesë karikatorë të armëve të shkurta, 5 mijë e756 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 18 koktej molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mete tymuese, 5 thika ushtarake, tha Gazmend Hoxha, drejtori i Policisë së Kosovës.
Por Beogradi zyrtar hedh poshtë akuzat e autoriteteve të Kosovës. Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se armët, të cilat Policia e Kosovës i ka gjetur në afërsi të Komunës së Zveçanit, janë konfiskuar më herët në aksionet për çarmatimin e qytetarëve në Kosovë. /alsat.mk