Ukraina: Ushtria jonë po avancon me hapa të vegjël, por të sigurt

Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Ukrainës, Hanna Malyar, tha se forcat ukrainase në pjesën jugore të vendit po bëjnë gradualisht përparime, “me hapa të vegjël, por me shumë siguri”. Ajo shtoi se trupat ukrainase po e vazhdojnë kundërofensivën sipas planit.

“Ne po ecim përpara gradualisht … dhe ju mund të citoni edhe një alegori se ne po gërryejmë çdo metër tokë nga armiku”, tha Malyar, në një vlerësim të bërë më 20 qershor.

Ndërkohë, Malyar shkoi në platformën Telegram se ka edhe vende ku forcat ruse po përparojnë dhe trupat ukrainase janë në mbrojtje, si për shembull në qytetet lindore të Ukrainës, Kupyansk dhe Lyman.

Ajo shtoi se “njerëzit duan që të ndodhë si në një film … shumë shpejt”, por shtoi se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë.

“Duhet ta kuptojmë se detyrat që i vendosen ushtrisë kryhen nga ata dhe lëvizja graduale po bëhet në të gjitha drejtimet ku filloi ofensiva. Por, natyrisht, goditja kryesore nuk ka ardhur ende”, tha ajo.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në fjalimin e tij të përnatshëm se forcat ukrainase “në jug dhe në lindje po e shkatërrojnë në mënyrë aktive armikun, duke e pastruar fizikisht Ukrainën”.

Mbrojtja e Ukrainës po “shkatërron terroristët”, tha ai. “Dhe kjo është një garanci që shteti i së keqes nuk do të ketë kurrë mundësi ta sjellë të keqen në Ukrainë”.

Komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrsky, tha në Telegram se trupat e tij po përparonin rreth qytetit lindor të Bahmutit, ndërsa po zmbrapsnin sulmet gjithnjë e më intensive ruse pranë Kupyanskut.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura raportoi më herët se ushtria ukrainase po e vazhdon ofensivën e saj në zonat e Melitopolit dhe Berdyanskut.

Në verilindje të Ukrainës, trupat ruse e bombarduan kufirin e rajonit Sumy 14 herë, njoftoi administrata ushtarake rajonale.

Disa vendbanime u vunë nën zjarr shkaku i 109 shpërthimeve të regjistruara, thuhet në një përmbledhje të administratës ushtarake. Shtëpitë private dhe një fermë u goditën.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat ruse kishin goditur dhe shkatërruar tetë depo municionesh Ukrainë gjatë 24 orëve të mëparshme. Sipas tyre, forcat ukrainase ishin përpjekur ta sulmonin Donjeckun e kontrolluar nga Rusia dhe rajonin jugor të Zaporizhzhjas, por sulmet ishin zmbrapsur.

Forcat ukrainase sulmuan gjithashtu Nova Kahovkan e kontrolluar nga Rusia, në rajonin jugor të Hersonit, duke vrarë një grua dhe duke plagosur katër civilë, thanë autoritetet lokale të emëruara nga Rusia.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i konfirmojë këto pretendime të të dyja palëve për zhvillimet në fushën e betejës, në zonat e luftimeve më të ashpra.

Rusia më herët më 20 qershor nisi një tjetër sulm me raketa, dronë dhe artileri ndaj Kievit dhe disa qyteteve të tjera të Ukrainës, duke vrarë të paktën dy persona, thanë autoritetet rajonale dhe ushtria.

Mbrojtja ajrore e kryeqytetit ukrainas zmbrapsi një sulm “masiv” rus gjatë natës, duke shkatërruar rreth 20 dronë të prodhuar nga Irani, tha në Telegram guvernatori i rajonit të Kievit, Serhiy Popko, duke shtuar se ky ishte sulmi i parë ndaj Kievit në 18 ditët e fundit.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës tha se kishte rrëzuar 32 nga gjithsej 35 dronë të prodhuar nga Irani.

Rajonet Zaporizhzhja dhe Lviv ishin gjithashtu në shënjestër të sulmeve ruse gjatë natës.

Në Zaporizhzhya, sulmi kishte në shënjestër infrastrukturën e komunikimit dhe strehimit, si dhe ndërmarrjet bujqësore, tha shefi i administratës ushtarake rajonale, Yuriy Malashko.

Një objektiv i infrastrukturës kyçe u godit gjithashtu në Lviv, tha guvernatori rajonal, Maksym Kozytskiy.

Vala e fundit e sulmeve erdhi pasi Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut tha se, që nga 18 qershori, 9.083 civilë ukrainas ishin vrarë dhe 15.779 ishin plagosur që nga fillimi i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit të kaluar.

Vetëm në qershor, 112 civilë u konfirmuan si të vrarë dhe 445 u plagosën, tha OKB-ja në një deklaratë më 19 qershor, duke paralajmëruar se numri real mund të jetë shumë më i lartë.

Shumica e viktimave u vranë nga zjarri i rëndë i artilerisë, si dhe nga sulmet me raketa dhe ajrore, tha OKB-ja.

Në frontin diplomatik, kancelari gjerman, Olaf Scholz, më 20 qershor tha se i kishte bërë thirrje Kinës që ta përdorte më shumë ndikimin e saj mbi Rusinë lidhur me luftën në Ukrainë.

Duke folur së bashku me kryeministrin e Kinës, Li Qiang, pas bisedimeve dypalëshe në kryeqytetin gjerman, Scholz tha gjithashtu se Kina nuk duhet ta furnizojë me armë Rusisë.

Kina është partneri më i madh ekonomik i Rusisë, e cila është goditur nga sanksionet perëndimore pasi nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Vëllimi tregtar midis Pekinit dhe Moskës arriti rekordin prej 190 miliardë dollarësh vitin e kaluar.

Sipas të dhënave doganore të publikuara më 20 qershor, importet kineze të naftës ruse muajin e kaluar arritën nivelin e tyre më të lartë që nga pushtimi i Ukrainës – 9.71 milionë tonë.

Në Bruksel, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Bashkimi Evropian u kërkoi vendeve anëtare t’i sigurojnë 50 miliardë euro më shumë për ta mbështetur Ukrainën gjatë katër viteve të ardhshme.

“Kjo rezervë financiare do të na lejojë me të vërtetë ta kalibrojmë mbështetjen tonë financiare sipas zhvillimit të situatës në terren”, tha von der Leyen./REL