Për qytetarët e Maqedonisë së Veriut më shqetësues mbetet rënia e standardit të jetesës dhe rritja e çmimeve, ndërsa kryefjalë e zyrtarëve të lartë të shtetit muajve të fundit mbeten modalitetet për ndryshimin e Kushtetutës, përkatësisht përfshirjen bullgarëve në preambulë. Ky është kushti për Maqedoninë e Veriut që t’i hapet rrugë procesit të fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Anketa e realizuar së fundi nga Instituti Kombëtar Demokratik, NDI, ka nxjerrë në pah se 56 për qind e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut mendojnë se vendi po ecën në drejtimin e gabuar, kundrejt 11.1 për qind që konsiderojnë se po ecën në drejtimin e duhur.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut, në bazë të anketës, si arsye kryesore se pse vendi po shkon në drejtim të gabuar kanë apostrofuar korrupsionin dhe krimin e organizuar me 18 për qind, të ndjekur nga çmimet e larta dhe inflacioni me 15.3 për qind, politikat e dobëta dhe performancën e Qeverisë me 14.2 për qind, pastaj varfërinë dhe standardin e ulët të jetesës me 7.8 për qind.
Vetëm tre për qind e të anketuarve kanë apostrofuar negociatat me BE-në dhe problemet me Bullgarinë, si arsye që Maqedonia e Veriut po shkon në drejtim të gabuar.
Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se është vështirë të mendohet për çështjet e mëdha ku bën pjesë dhe përshpejtimi i procesit integrues përderisa tryeza e bukës ka gjithnjë e më pak ushqim.
Pensionistja Zorka Avramovska thotë se është e lodhur nga pritja prej tri dekadash që elitat politike t’i zgjidhin problemet që kanë të bëjnë me politikën e jashtme ndërkohë, siç shprehet ajo, tryeza e bukës gjithnjë e më shumë është e zbrazët.
“Pagat janë më të rëndësishmet, pasi siç e shihni rinia po largohet. Këtu mbeten vetëm të moshuarit. Ne mbijetojmë duke arnuar çdo gjë, nuk jemi në gjendje të shtrojmë një drekë familjare”, thotë Avramovska.
Rexhep Ajdini thotë se rritja e çmimeve ka bërë që jeta të bëhet e papërballueshme. Edhe pse në të pesëdhjetat, ai thotë se e mendon alternativën që të largohet nga vendi.
“Si ta shtyj muajin me 20 mijë denarë (320 euro) si shpërndarës produktesh ushqimore. As gjërat elementare nuk mund t’i përballoj. Pa ndihmën e vëllait dhe vajzës që janë jashtë, unë për çdo muaj do të detyrohesha të zhytem në borxhe për të paguar faturat. Me rrogë s`mundem as faturat t’i shlyej. Kjo është tmerr”, shprehet Ajdini.
Ligjëruesi në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tetovës, Arben Halili, thotë për Radion Evropa e Lirë se standardi i jetesës i qytetarëve do të fillojë të përmirësohet në momentin që do të fillojnë të realizohen investimet dhe jo vetëm të paralajmërohen si të tilla.
“Nëse qytetarët janë në kërkim të një standardi më të mirë jete për familjet e tyre, ashtu siç theksojnë anketat, kjo do të thotë se ata kanë dëshirë të qëndrojnë këtu dhe nëse qëndrojnë këtu, ekonomia do të ketë një numër potencial punëtorësh. Por, kjo mund të arrihet vetëm nëse realizohen investimet kapitale dhe në to përfshihen kompanitë vendore”, thotë Halili.
Ndërkohë, nga sektori i biznesit konsiderojnë se shteti duhet të përqendrohet në të ashtuquajturën diplomaci ekonomike në vend të zënkave mes subjekteve politike duke iu referuar dallimeve mes pushtetit dhe opozitës rreth ndryshimit të Kushtetutës.
Mile Boshkov nga Konfederata e punëdhënësve, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk është i befasuar që qytetarët mbeten të zhgënjyer nga elitat politike pasi ata shohin se si standardi i tyre i jetës shënon rritje me rritjen e pagave, ndërkohë punëtorët me pagat e tyre s`mund t’i mbulojnë as shpenzimet elementare.
“Është evidente pakënaqësia, si e qytetarëve, ashtu edhe e bizneseve. Është e nevojshme që në thelb të punohet për uljen e kostos së jetesës dhe lehtësimin e të bërit biznes”, thotë Boshkov.
Nga Lidhja e Odave Ekonomike kanë porositur Qeverinë që të ulë koston e shpenzimeve dhe mjetet t’i orientojë kah biznesi.
Sindikalistët janë shprehur të indinjuar lidhur me rritjen e pagave të zyrtarëve dhe shpenzimet tjera që i bën shteti.
Ata theksojnë se është bërë e papërballueshme kostoja e jetesës, pavarësisht se paga mesatare në vend është rritur në 550 euro pasi shporta e konsumatorit është më e lartë se 800 euro./Rel