Mentor Mazrekaj është përforcimi i parë zyrtarë i kësaj merkatoje te skuadra e Struga Trim Lum. Bëhet fjalë për një futbollistë me mjaft eksperiencë (190 ndeshje në Superligën shqiptare, 22 në Superligën e Kosovës, 12 ndeshje europiane), i cili skuadrës tonë i bashkohet nga rradhët e Laçit. Një periudhë të bukur, Mazrekaj te skuadra laçiane kishte punuar nën urdhërat e trajnerit Shpëtim Duro, i cili njëherit ka qenë edhe më i merituari për këtë transferim, pranon vetë lojtari.
“Ky transferim erdhi nga insistimi i profesor Shpëtim Duros. Dihen raportet që kam me të dhe realisht nuk mund ta refuzoja. Jam shumë i lumtur që do të jem pjesë e skuadrës së Struga Trim Lum, që edicioin e kaluar shkroi histori duke u shpallur kampion i Maqedonisë” – u shpreh fillimisht Mazrekaj.
Futbollisti prishtinas që sërish do të vihet nën urdhërat e trajnerit Duro, beson se nuk do ta ketë të vështirë adaptimin te skuadra e Struga Trim Lum.
“Shpresoj se do të adaptohem shpejtë këtu. Një mikëpritje e ngrohtë që në ditën e parë bënë që të besoj këtë gjë, ndërsa gjithashtu besoj se me eksperiencën time do të ndihmojë skuadrën fillimisht në garat europiane, aty ku kemi luajtur edhe bashkë me profesor Duron, por gjithsesi edhe në kampionat, ku me epitetin e kampionit, do ta kemi paksa më të vështirë, pasi tashmë gjitha skuadrat do shohin me sy ndryshe ndaj nesh, megjithatë neve jemi kampion dhe si të tillë besoj se edhe sezonin e ri do luajmë një rol të rëndësishëm në Ligën e Parë” – thotë Mazrekaj, i cili me skuadrën tonë ka nënshkruar kontratë një vjeçare.
Transferimin e Mazrekajt e paralajmëruam përmes një video materiali, në të cilin shihet momenti i nënshkrimit të kontratës në praninë e Drejtorit Sportiv, Besart Isaku.