Qytetarët kritika Qeverisë: Ngrirja dhe shkrirja e çmimeve nuk dha rezultate

Vendimet për ngrirje të çmimeve nuk ishin të duhurat, nuk e dhanë efektin që pritej dhe për më tepër ishin zgjidhje e përkohshme, vlerësojnë qytetarët. Ata thonë se duhej të kishte zgjidhje të tjera si ndihma financiare për familjet me të ardhura të ulëta si dhe përmirësim të standardit të jetesës në përgjithësi.

“Vetëm të përmirësohet standardi, asgjë tjetër nuk është më mirë… Kjo është lojë, jo çmime të ngrira, jo të shkrira, nuk na duhen lojëra të tilla”.

“Ka, si nuk ka, duhet para se gjithash, e dini çfarë po mendoj, të mos bëjnë kështu, të lëshojnë diçka edhe për qytetarët”.

“Më mirë Qeveria të ngrijë dhe të mos ekzistojë më, prej mua kaq, nuk di tjetër çfarë të ju them”.

“Duhet të ndihmojë, duhet normalisht. E shoh se prapë çmimet janë rritur shumë, tash çfarë na mbetet neve është ta themi se si e ndjejmë në kurriz, ndërsa pjesa tjetër varet prej tyre, çfarë të them”.

“Standardi i jetesës duhet të përmirësohet fillimisht, më pas gjithçka tjetër”.

Nga Oda e Agrobiznesit thonë se ekzistonte një mënyrë më cilësore për zgjidhjen e problemeve, dhe ngrirja e çmimeve nuk ishte masa e duhur. Goran Georgievski tha se në vend të kursimit të 1500 deri në 2000 denarë në muaj, si rezultat i ngrirjes së çmimeve, Qeveria do të duhej t’u ndihmonte familjeve me të ardhura të ulëta me ndihma nga 6000 deri në 10 mijë denarë.

“Nëse nuk do të kishte ngrirje çmimi, e dimë se për një pjesë të popullatës nuk është aspak problem që të paguajnë për produktet, megjithatë pjesa tjetër grupet në rrezik social, që kanë të ardhura të ulëta, atyre mundej që në mënyrë të denjë duhej t’u paguheshin nga ana e Qeverisë, shuma prej 6000 denarë deri në 10 mijë denarë. Domethënë në vend që të kursejnë 1500 deri në 2000 denarë, ata do të merrnin nga 6000 deri në 10 mijë denarë, do të ishin shumë më mirë të targetuara nga ana e shtetit dhe përsëri nuk do të kishte prishje të tregut dhe ngrirje të çmimeve”, tha Goran Georgievski, Oda e Agrobiznesit.

Nga data 1 qershor u shfuqizuan vendimet e Qeverisë për ngrirjen e çmimeve që ishin në fuqi gjatë dy muajve të fundit. Me këto vendime Qeveria ndaloi rritjen e çmimeve të disa produkteve bujqësore, bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë, miellit, vajit për gatim, vezëve, orizit, brumërave, qumështit dhe produkteve të qumështit. Po ashtu kishte ngrirje të çmimit të mjeteve higjienike./Alsat.mk