Nëntë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, tetë prej të cilave femra dhe një mashkull, janë regjistruar vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut, informon PRESSonline.al
Numri më i madh i tyre janë fëmijë – shtatë të moshës nga 14 deri në 17 vjeç. Sipas llojit të shfrytëzimit, shumica e rasteve identifikohen si martesa të detyruara – gjashtë persona, dhe dy janë identifikuar si shfrytëzim seksual, njëri prej të cilëve është shfrytëzim online, ndërsa këtë vit tre vajza ishin objektiv i shfrytëzimit seksual.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, ka deklaruar se viktimat duhet të mbrohen më mirë dhe t’u ndihmohet më shumë.
“Trafikimi i qenieve njerëzore është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe kërcënim për liritë dhe sigurinë e çdo shoqërie. Vendi ynë dhe vendet e rajonit shpesh luajnë një rol në secilën nga fazat e trafikimit të qenieve njerëzore, si vend origjine, tranziti apo destinacioni. Nevojitet një aksion i përbashkët në të cilin do të fokusohemi në luftën kundër një prej realiteteve më të errëta në botë sot, në të cilin janë ngujuar një numër i madh i grave dhe burrave, djemve dhe vajzave”, thotë Trençevska në konferencën rajonale kushtuar parandalimit dhe luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, përcjell PRESSonline.al
VENDI I ORIGJINËS, TRANZITI DHE DESTINACIONI PËRFUNDIMTAR
Ndryshe nga më parë, Republika e Maqedonisë së Veriut tani është një vend i destinacionit përfundimtar, vend i origjinës dhe vend i tranzitit kur bëhet fjalë për trafikimin e qenieve njerëzore. E ndërsa më parë viktimat ishin pothuajse gjithmonë vajza të reja nga Evropa Juglindore, tani ka një trend të rekrutimit të viktimave nga brenda vendit tonë, por edhe nga vendet e tjera të rajonit. Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, viktimat e tregtisë me njerëz në të kaluarën janë shfrytëzuar kryesisht për shfrytëzim seksual, ndërsa sot ka edhe raste të shfrytëzimit të punës dhe trafikimit të fëmijëve për lëmoshë apo forma të tjera të krimit.
Gjithnjë e më shumë, elementët e shfrytëzimit përfshijnë martesat e detyruara dhe shfrytëzimin e punës në një objekt ushqimi. Rruga e Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë tërheqëse për migrantët dhe raportet e Ministrisë së Brendshme, si dhe ato të organizatave përkatëse ndërkombëtare, tregojnë se migrantët, në rrugën drejt destinacionit të dëshiruar, po përdorin gjithnjë e më shumë shërbimet e kontrabandistëve, duke pasur parasysh cenueshmërinë e migrantëve, në shumë raste ata nga përdoruesit e shërbimeve bëhen viktima të trafikimit të qenieve njerëzore.