Nxënësit, të pavendosur për arsimin e mesëm, disa duan gjimnazin të tjerët arsimin profesional

Një pjesë e gjysmë-maturantëve vazhdojnë të mbeten në udhëkryq kur bëhet fjalë për regjistrimin në shkolla të mesme. Disa vlerësojnë se gjimnazet ofrojnë mundësi më shumë për t’u përcaktuar më pas për studimet. Ndërkohë, shumë të tjerë janë të mendimit se arsimi profesional ka përfitime më të mëdha.

“Mendoj të vazhdoj në gjimnaz sepse mendoj se nuk ta kufizon fakultetin dhe është më mirë”.

“Do të vazhdoj për mjekësi, tashmë është edhe paralelja turke. Nëse mësoj për mjekësi punë do të gjej më shpejtë. E dua këtë profesion dhe dëshiroj të bëhem mjeke”.

“Nëqoftëse do të kisha shkuar në shollë profesionale do të kisha zgjedhur drejtimin optikë, më pëlqen shumë”.

Nxënësit që tashmë ndjekin arsimin profesional thonë se drejtimet: ekonomi, juridik ose farmaci krijojnë mundësi punësimi menjëherë pas mbarimit të këtij kapitulli.

“Me këtë drejtim mund të bëhen farmacist të suksesshëm, të hapin barnatoret e tyre apo edhe më e mira të zbulojnë ndonjë ilaç për shërimin e ndonjë sëmundje”.

“Si ekonomist mund të punojmë në fusha të ndryshme, nga bankat dhe financat, politika publike, marketing, kontabilist, analist investimesh dhe shumë drejtime tjera”.

“Mund të punësohemi nëpër institucione të ndryshme shtetërore apo administratë, nga posti më i ulët si referent, nëpunës administrativ, mund të punësohemi në noter ose në ndonjë zyre të avokatisë”.

Në ditën e hapur të shkollës profesionale “Cvetan Dimov”, presidenti Stevo Pendarovski, ish nxënës i kësaj shkolle apeloi fëmijët të ndihmojnë njëri tjetrin.

“Sa më shumë të jeni në ndërveprim me njëri tjetrin, shoqërohuni më shumë në të gjallë, më pak në rrjetet sociale dhe përdorimin e telefonave të mençur. Bëni sport, lexoni, informohuni dhe ndihmoni njëri tjetrin”, deklaroi Stevo Pendarovski, president. /Alsat.mk