Qeveria pritet së shpejti të miratojë draft versionin e grupit të punës për ndryshimet Kushtetuese pasi Ministria e Drejtësisë t’i ketë dhënë dorën e fundit propozimit. Propozimi më pas do të arrijë në Kuvend për të cilën gjë kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, thotë se procedura mund të fillojë. Ai, në takimin joformal me gazetarët thotë se konsensusi mes partive nuk është i nevojshëm për fillim të procedurës formale, por i rëndësishëm për realizimin e saj.
“Në aspektin procedural nuk përbën pengesë që procesi të fillojë dhe të vazhdojnë negociatat. Në aspektin procedural nuk është mision i pamundur të fillojë procesi duke i pasur parasysh afatet dhe gjatë rrjedhjes së atyre afateve ka kohë për debat. Konsensusi është i pashmangshëm në këtë procedurë sepse nuk mund të kalohet asnjë pjesë pa konsensus. Ky proces i tejkalon interesat e shumicës, ky është interes shtetëror”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Realizimi i ndryshimeve kushtetuese mund të marrë mesatarisht 4 deri 5 muaj. Seanca e parë mund të caktohet kur të kalojnë 30 ditë nga dorëzimi i draft amendamenteve në Kuvend. Më pas rrjedhin afatet për diskutim në Komisionin për çështje kushtetuese dhe në plenare. Nevoja për ndryshime kushtetuese duhet të mbështetet nga të paktën 80 deputetë.
Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi thotë se ndryshime mund të bëhen vetëm për pjesët për të cilat qeveria do të dorëzojë draft amendamente, që nënkupton, vetëm për përfshirjen e pakicave në Kushtetutë. Nëse propozuesi nuk përfshin në draft amendament zgjidhjen e çështjes së 20-përqindëshit, deputetët nuk mund ta propozojnë një gjë të tillë gjatë procedurës.
“Nuk mundet jashtë asaj që është vendim për veprim. Vendimi për veprim e jep kahjen se në cilat pjesë do të bëhet intervenimi. Amendament dorëzohet për draft amendamentin. Ata nuk munden të propozojnë amendament të ri. Draft amendament sipas vendimit të miratuar jep propozuesi i iniciativës”, deklaroi Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Disa nga partitë shqiptare kishin ngritur shpresat se me ndryshim të Kushtetutës për përfshirjen e bullgarëve dhe disa pakicave të tjera, mund të propozojnë edhe zëvendësim të 20-përqindëshit me termin “gjuha shqipe”. /Alsat.mk