Ukraina është përballur me një valë tjetër sulmesh me dronë dhe raketa gjatë natës, me shumicën e sulmeve ajrore që synojnë Kievin.
Zyrtarët e qytetit thanë se forcat ukrainase shkatërruan më shumë se 40 “objektiva ajrore” mbi kryeqytet.
Nuk pati viktima në Kiev, por rënia e mbeturinave të dronit dëmtoi ndërtesa dhe shkaktoi zjarre.
“Kanë kaluar vetëm 18 orë nga sulmi më i madh me [dronë] në Kiev dhe armiku e sulmoi përsëri kryeqytetin”, tha administrata ushtarake e qytetit, duke shtuar se ky ishte sulmi i 15-të ajror ndaj Kievit që nga fillimi i majit.
Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se ishte “një tjetër natë e vështirë” për qytetin, por ai tha se nuk u raportua për viktima apo dëme të mëdha nga sulmet e fundit ajrore.
Të paktën dy persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën shkaku i sulmit të një dite më parë në Kiev. Ai sulm kishte sjellë dëme edhe në disa ndërtesa.
Sulmet erdhën të dielën e fundit të majit, kur kryeqyteti ukrainas e festonte Ditën e Kievit, përvjetorin e themelimit zyrtar të qytetit, 1541 vjet më parë.
Rusia i ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë në Ukrainë pas një periudhe prej gati dy muajsh më të qeta, duke sulmuar objektet dhe furnizimet ushtarake disa herë në javë.
E përforcuar nga pajisjet e sofistikuara të furnizuara nga perëndimi, mbrojtja ajrore e Ukrainës ka arritur t’i pengojë sulmet ajrore ruse.