Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski me ekipin e tij juridik do t’i shqyrtojë ndryshimet e ligjeve të ndërlidhura me korridoret 8 dhe 10d të miratuara dje në Kuvend, theksojnë nga Kabineti i presidentit, duke shtuar se meqë bëhet fjalë për më shumë ligje do të nevojiten më shumë ditë. Vetëm atëherë presidenti Pendarovski do të dalë me qëndrim dhe do të thotë nëse dhe cilat dekrete do të nënshkruhen.
“Dje pasdite kanë mbërritur ligjet në Kabinetin e presidentit. Në ditët në vijim do të shqyrtohen nga presidenti dhe do të vendoset nëse dhe cilat dekrete do të nënshkruhen. Meqenëse ka më shumë ligje, do të duhen disa ditë që presidenti t’i shqyrtojë ato me ekipin e tij juridik”, thanë për MIA-n nga Kabineti i presidentit.
Kuvendi miratoi dje, në vazhdimin e seancës së 115-të, ndryshimet dhe shtesat në pesë ligjet që lidhen me zbatimin e Kontratën me “Behtel dhe Enka” për ndërtimin e katër seksioneve të autostradës në korridoret 8 dhe 10d.
Me 60 vota “pro” dhe 43 “kundër” u miratua Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për marrëdhënie pune, me 62 vota “pro” dhe 43 “kundër” Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shpronësim, me 63 vota për” dhe 43 “kundër” Ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për ndërtim, me 62 “për” dhe 44 “kundër” Ligji për ndryshim dhe plotësim të ligjit për planifikim urbanistik, ndërsa me 63 “për” dhe 43 “kundër” Ligji për ndryshim dhe plotësim të ligjit për përcaktimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për realizimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 (pjesa: Tetovë – Gostivar – Bukojçan dhe projekti për autostradën Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë) dhe Korridori 10d (pjesa e autostradës Prilep – Manastir) në Republikën e Maqedonisë së Veriut të gjitha në procedurë të shkurtuar.