Sëmundjet e lëkurës, mjekët ngrenë alarmin për kujdes nga dielli

Afrimi i stinës së verës dhe temperaturave të larta, rrit dhe rrezikun e paraqitjes së sëmundjeve të ndryshme të lëkurës të cilat lidhen me qëndrimin e tepërt në diell. Shenjat e para të cilat na përçojnë mesazhin se diçka nuk është në rregull me lëkurën tonë, janë ndryshimi i shpejtë dhe shumë i dukshëm i nishaneve, rritja apo transformimi i tyre si dhe paraqitja e nishaneve të reja brenda një periudhe shumë të shkurtë. Dermatologët thonë se çdo ndryshim në lëkurë duhet të jetë një sinjal për kontrolle mjekësore.

“Shenjat e para që lëkura I jep është ndonjë shenjë e re e cila paraqitet. Atëherë ky është indikacion që të shkojnë në mjek të kontrollohen nëse ajo është ndonjë ndryshim I rëndësishëm. Arsyeja më e shpeshtë e vdekjes nga kanceri I lëkurës është melanoma, ajo është sëmundje e cila lëshon metastazë shumë shpejtë përhapet dhe prandaj është shumë e rëndësishme të zbulohet në fazë të hershme, është shumë e rëndësishme. Megjithëse kemi një numër të madh të kancereve të lëkurës të cilat lidhen me ekspozimin e pa mbrojtur në diell, prandaj është e rëndësishme që të detektohet herët sëmundja”, deklaroi Andrej Petrov, Dermatolog.

Dermatologët thonë se është shumë e rëndësishme që gjatë çdo dalje në diell të përdorim kremra me faktor mbrojtës.

“Nuk do të thotë që mos të qëndrojmë në diell, por kur të qëndrojmë në diell , lëkura të jetë e mbrojtur. Lëkura patjetër të jetë e mbrojtur me kremra me faktor të lartë mbrojtës që t’i bllokojë rrezet ultra vjollcë dhe rrezet A dhe B të cilat sipas OBSH janë dëshmuar se janë kancerogjene. Kjo nuk është që ne e mendojmë, por diçka e dëshmuar. Plakja e lëkurës është direkt e lidhur me ekspozimin në diell. Ilaçi më i mirë kundër krijimit të rrudhave apo kundër plakjes janë kremrat me faktorë të lartë mbrojtës, asgjë nuk e plak lëkurën si dielli”, tha Andrej Petrov, Dermatolog.

Në Evropë në vit sëmurën 14 mijë në 100 000 njerëz nga kanceri i lëkurës. Gjatë pesë viteve të fundit melanoma ka zënë vendin në listën e sëmundjeve malinje më të shpeshta. Numri i të sëmurëve nga melanoma po shënon një rritje të vazhdueshme dhe për çdo vit shënon një rritje prej 4-5%, që do të thotë se numri i të sëmurëve çdo 10-15 vjet dyfishohet. /Alsat.mk