Kur të gjithë kishin krijuar përshtypjen se pandemia e Covid-19 ishte hedhur pas krahëve, gjendja në Kinë tregon të kundërtën.
Shteti komunist ka ngritur alarmin për një valë të re të përhpajes së virusit që pritet të arrijë shifrën rekord të rreth 65 milionë të infektuarve në javë, në fund të qershorit.
Sipas parashikimeve të Zhong Nanshan, eksperti kryesor i sëmundjeve infektive në rrugët respiratorë të gjigantit aziatik, i cili foli në Forumin e Shkencës në Guangzhou, vala e re e pandemisë do të nxitet nga variantet XBB të Sars-CoV-2, të cilat janë bërë dominuese në vend.
Mutantët kundër të cilëve Kina ka miratuar dy vaksina të reja afër komercializimit dhe po përgatitet të autorizojë 3 ose 4 të tjera, tregojnë transmetueshmëri superiore dhe imunitet ndaj kurës së Omicron, por pa ndryshime të rëndësishme, përsa i përket patogjenitetit.
Prandaj, vala aktuale nuk pritet që të prodhojë efekte dërrmuese në spitalet kineze, të paktën jo ashtu siç ndodhi dimrin e kaluar pas braktisjes së politikës “Zero Covid”.
Megjithatë, Wang Guangfa, një ekspert për sëmundjet respiratore në Spitalin e Parë Universitar të Pekinit, theksoi për Global Times rëndësinë e miratimit të masave të duhura parandaluese për njerëzit e dobët.
Ndërkohë, Fabrizio Pregliasco, një virolog në Universitetin Shtetëror të Milanos, shprehet se Europa nuk duhet të shqetësohet edhe aq shumë për variantin e ri të COVID që ka alarmuar Kinën.
“Do të ketë një rritje të parëndësishme, ndoshta pa ndikim të konsiderueshëm për sa i përket rasteve të rënda”, shpjegon eksperti për Adnkronos Salute.
“Virusi do të mbetet me ne, me tendenca të valëzuara dhe josinkrone në mbarë botën, i udhëhequr në zona të ndryshme të botës nga nivelet e imunitetit hibrid të fituar nga popullata. Aktualisht, jemi në një fazë zvogëlimi, sepse kemi pësuar një valë ngjitjeje pak kohë më parë”, theksoi Pregliasco.