Presidenti Stevo Pendarovski sot në Bruksel, në kuadër të vizitës së tij të punës në Belgjikë, pati një takim me kryeministrin e Mbretërisë së Belgjikës, Alexander De Croo.
Në takim u konstatua miqësia dhe partneriteti mes dy vendeve, ndërsa në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet bilaterale, integrimet evropiane të Maqedonisë, bashkëpunimi ekonomik, si dhe trendet politike dhe ekonomike në Evropë.
Presidenti Pendarovski përshëndeti trendin pozitiv të forcimit të dialogut politik ndërmjet dy vendeve dhe vlerësoi se shkëmbimet e shpeshta të vizitave të nivelit të lartë do të thellojnë edhe më shumë besimin politik dhe do të nxisin zhvillimin ekonomik.
Bashkëbiseduesit shprehën kënaqësinë për avancimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe rritjen e investimeve belge në Maqedoninë e Veriut.
Presidenti i shprehu mirënjohje kryeministrit belg për mbështetjen e vazhdueshme në proceset eurointegruese të Maqedonisë dhe politikës së zgjerimit të BE-së, si proces me rëndësi strategjike për rajonin. Në këtë kontekst, u shkëmbyen mendime dhe pikëpamje për presidencën e ardhshme belge me Bashkimin Evropian në gjysmën e parë të vitit 2024.