Struga Trim Lum kërkon të bashkojë dy trofetë e futbollit vendor kur pas titullit kampion, sot në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë FFM-së kundër Makedonija GJ.P do të kërkojë edhe trofeun e Kupës.
Atmosfera në skuadër është e shkëlqyeshme, ndërsa futbollistët synojnë të shfaqin performansë të pritur në terren për të bashkuar të dy trofetë, që do ishte edhe një sukses tjetër për Struga Trim Lum, skuadër kjo e themeluar vetëm në vitin 2015-të.
Bazuar në rezultatet e këtij edicioni përballë Makedonija GJ.P, finalja pritet të jetë e balansuar. Tre ndeshje, tre barazime ndaj kundërshtarit të sotëm bëjnë që të jemi të kujdesshëm, megjithatë realisht nuk fshehim epitetit e kampionit, dhe si të tillë do të qasemi edhe në këtë ndeshje.
Dy ndeshjet e zhvilluara në Strugë u mbyllën me rrjeta të paprekura, ndërkohë në Shkup ndeshja ishte mbyllur me shifrat 1:1. Fitoren e fundit e kemi ne si skuadër, kur edicionin e kaluar në stadiumin e Gjorçe Petrovit kishim regjistruar fitore 3:1, mirëpo ende në mëndje kemi disfatën në gjysmëfinale të Kupës edicionin që lamë pas, kur Makedonija Gj.P na eliminoi përmes penaltive në Stugë, që më pas edhe të triumfojë në finalen e madhe përballë Sileksit.
Është ky një motiv shtesë për ne si skuadër, por edhe shans i mirë për tu hakmarrë, këtë herë në finalen e madhe.
Për Struga Trim Lum do të jetë kjo hera e parë që do të luaj në një finale, ndërsa për Makedonija GJ.P, finalja e pestë, ku do të kërkojë triumfin e tretë, pas atyre në vitin 2006 dhe 2022
Trajneri Shpëtim Duro vetëm disa minuta para startit të takimit do të vendos për formacionin e sotëm, ndërsa lojtari i vetëm në të cilin nuk do të mund të llogarisë, është Ard Kasami.
Finalja e sotme midis Struga Trim Lum dhe Makedonija Gj.P në stadiumin “Petar Milloshevski” pranë FFM-së do të startojë në ora 17:00 dhe e njëjta do të transmetohet edhe në ekranet e TVM2.