Në Senatin amerikan u diskutua për anëtarësimin e RMV-së në BE

SHBA-ja e mbështet Maqedoninë e Veriut për ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të cilat ndoshta duken të vogla, por politikisht janë shumë të vështira, deklaroi dje Derek Shole, këshilltar i Departamentit të Shtetit në seancën dëgjimore për Ballkanin Perëndimor në Komitetin për punë pë jashtme të Senatit.

Shole e dha këtë përgjigje në pyetjen e senatorit demokrat nga Konektikati, Kris Marfi: “Më tregoni pak për atë se cilat janë përfitimet që do t’i merrte Maqeodonia e Veriut me hyrjen në BE? Pse është me të vërtetë e rëndësishme për ata disi t’i zgjidhin dallimet e tyre me Bullgarinë që të mund të hyjnë në Bashkimin Evropian?“

“Ata duhet të marrin disa vendime të vështira të ndryshimeve kushtetuese, të cilat kërkohen që të bëhen prej tyre. Ata janë të gatshëm t’i bëjnë ato ndryshime, por politika është vështirë. Dhe ajo që duhet ta dëgjojnë nga të gjithë ne është mbështetja jonë që t’i bëjnë këto ndryshime, që do të dukeshin të vogla, por politikisht janë mjaft të vështira, e kjo do të ndihmojë që të zhbllokohet faza e ardhshme e procesit të tyre për aderim në BE”, u përgjigj Shole.

Shtoi se Maqedonia e Veriut është partner i shkëlqyer, aleat i NATO-s dhe lider rajonal.

“E mbështesim fuqishëm integrimin e mëtutjeshëm të plotë evropian të Maqeodnisë së Veriut dhe Shqipërisë. Sërish, ata janë aleatë të shkëlqyer të NATO-s. Korrikiun e kaluar e kanë hapur procesin e tyre aderues me BE-në që e mbështesim fuqishëm”, theksoi ai.

Për mbështetjen e SHBA-së për integrimin e rajonit në BE foli edhe zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar. Tha se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë aleatë të fuqishëm të NATO-s dhe partnerë të dobishëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Që t’i vazhdojë aspiratat e veta ndaj BE-së, Maqeodnia e Veriut është e përkushtuar të sjellë ndryshime kushtetuese për njohjen e pakicës serbe. E mbështesim fuqishëm këtë hap të rëndë, por të domosdoshëm”, deklaroi Eskobar.

Ai tha se Maqedonia e Veriut është vend që ka bërë gjithçka që nevojitet për të kaluar në hapin e ardhshëm dhe shtoi se sipas tij e meriton hapin e ardhshëm. “Dhe mendoj se të gjthë, edhe në kuadër të Bashkimit Evropian edhe në strukturat politike të Maqedonisë së Veriut, duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur që kjo të ketë sukses”, shtoi ai.

Eskobar tha se nuk kërkohet nga opozita që të mbështetet kryeministri, por rruga euroatlantike e Maqedonisë së Veriut.

“Kjo është marrëveshja më e mirë që e kemi marrë. Ai është i kuptueshëm, mendoj deri më tani dhe duhet të ecim përpara sa më shpejt që është e mundur. Për këtë, shpresoj se të gjitha palët e spektrit politik i mbështesim ndryshmet e nevojshme që të mundemi të ecim përpara në avancimin e kandidaturës të Maqedonisë së Veriut”, theksoi ai.

Edhe Shole edhe Eskobar kanë folur për korrupsionin në rajon dhe për sanksionet e SHBA-së për përballjen me të.

“Ne jemi vazhdimisht në shënjestër dhe po punojmë me aleatët dhe partnerët tanë, dhe po koordinojmë përpjekjet tona për sanksione. Pra, kjo është diçka që mendojmë se është mjet i rëndësishëm. Por ky nuk është mjeti i vetëm që kemi për të luftuar korrupsionin”, tha Shole.

Sipas tij, zyra e koordinatorit kundër korrupsionit të Departamentit të Shtetit, Riçard Nefju, po shqyrton projekte kundër korrupsionit në rajon.

Në pyetje u diskutua edhe për Ballkanin e Hapur, marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ballafaqimi me ndikimin e Kinës dhe Rusisë, dezinformatat dhe nevojën për diversifikimin e tregut të energjisë.

“Ne jemi dakord që diversifikimi i energjisë, si dhe transformimi nga lëndët djegëse fosile në burime të rinovueshme, është prioritet kyç për këtë administratë”, tha Escobar.

Ai përsëriti për investimet në energji në Shqipëri dhe në pjesë të tjera të rajonit.

“Ne besojmë se vendet po përfundojnë marrëveshje që do të ndihmojnë në diversifikimin e burimeve të tyre të energjisë larg Rusisë dhe ne e mbështesim këtë. Do ta mirëpresim mbështetjen shtesë nga qeveria amerikane për të gjitha ato përpjekje”, tha Eskobar.